Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 14:05

Prishtinë – Prokurorët e ngarkuar me hetimin e akuzave të ngritura nga senatori zviceran, Dick Marty kundër ish-liderëve të UÇK-së në krye me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi nuk kanë gjetur deri tash asnjë provë që vërtetojnë këto akuza.

Zyrtarë të misionit evropian në Kosovë për sundimin e ligjit kanë thënë për Lajmeshqip.com se deri tash nuk është siguruar asnjë provë që mund të dërgohet në gjykatë.

Zëdhënësi i EULEX-it Nicholas Haëton ka thënë se lidhur me Raportin e Martyt, nuk ka asgjë të re për të thënë.

“Siç edhe kemi thënë më herët, misioni ka kontaktuar me z. Marti dhe ekipin e tij, në mënyrë që EULEX-it t’i mundësohet që të vazhdojë me një hetim paraprak. Këto kontakte përfshijnë takime për të diskutuar raportin e tij. EULEX-i posedon kapacitetin dhe ekspertizën dhe juridiksionin për të zhvilluar hetimin dhe tashmë edhe e ka marrë përgjegjësinë”, ka thënë Haëton.

Në fillim të këtij viti deputeti zviceran publikoi një raport rreth 100 faqe me atë të të cilit inkriminoheshin krerët e Kosovës se janë të përfshirë në krim të organizuar të drogës, armëve, naftës etj. Ai akuzoi liderët e UÇK-së për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë. Sipas Martyt pjesëtarë të UÇK-së kanë rrëmbyer serbë dhe i kanë dërguar në dy kampe në Shqipëri, në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në një fshat afër Burrelit dhe në një bazë të UÇK-së në Fushë-Krujë. Ky raport u miratua edhe si rezolut nga Këshilli i Evropës i cili bën thirrje për një hetim.

Mirëpo ky hetim tashmë ka nisur, por nuk është gjetur asnjë provë lidhur me këto akuza. Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Haëton, ka thënë se me qëllim të lehtësimit të punës fillestare të prokurorëve dhe hetuesve është hapur një hetim paraprak më 28 janar 2011.

“Ky veprim ka pasuar me kontaktet e para ndërmjet prokurorëve të EULEX-it me homologët e tyre në Tiranë dhe në Beograd. Mirëpo, autoriteti i prokurorisë duhet t’i bazojë hetimet e veta në prova të cilat janë të pranueshme në gjykatë. Prandaj, nevojitet mbledhja e provave dhe ato të vërtetohen nga hetuesit dhe prokurorët me një saktësi shumë të madhe”, ka thënë ai. Sipas këtij zëdhënësi vetëm në fund të një hetimi të tillë mund të arrihet deri te konkludimi nëse individët do të sillen përpara gjykatës për një gjykim të drejtë dhe publik.