Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 16:47

Prishtinë – Qeveria “Thaçi 2”, ka përmbyllur 100 ditshin e parë të saj, ndërkaq disponimi i qytetarëve nuk është në nivelin e kënaqshëm sa i përket punës dhe arritjeve për periudhën tremujore. Këtë qëndrim shprehin edhe partitë opozitare, të cilat konsiderojnë se për këto 100 ditë, Qeveria e Kosovës më shumë i ka sjellë dëme vendit, sesa të mira. Ndërkohë një anketë e Kosovapressit ka rezultuar me një shifër prej 65 për qind të votuesve që e konsiderojnë të dështuar 100 ditshin e parë të Qeverisë së Kosovës.

Në pyetjen “Si e vlerësoni 100-ditshin e Qeverisë ‘Thaçi 2 ?”, kanë marrë pjesë 792 respodentë dhe prej tyre, 516 vetë ose 65 për qind, mendojnë se ky 100 ditësh ishte i dështuar.

Të suksesshëm 100 ditshin e Qeverisë “Thaçi 2”, e kanë vlerësuar 160 votues, ose 20 për qind e pjesëmarrësve në ankesë, të kënaqshme e kanë vlerësuar 82 votues, ose 10 për qind, kurse përgjigjen ‘nuk e di’ kanë dhënë 34 pjesëmarrës, ose 4 për qind.

Sidoqoftë, vetë Qeveria e vlerëson si mjaft të suksesshëm punën e saj 100 ditëshe. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë të mërkurën se vetëm për 100 ditë ekzekutivi i vendit ka arritur t’i përmbush shumicën e premtimeve të bëra.

Partitë opozitare nga ana tjetër, kanë vlerësuar se Qeveria “Thaçi 2”, nuk është një qeveri çfarë u duhet dhe çfarë e meritojnë qytetarët e Kosovës.