Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 07:39

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje sot në mbledhjen e parë zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm, të mbajtur pas gjashtë vjet ekzistence, zgjodhi për kryetar liderin e saj Albin Kurti.

I sapozgjedhuri, Kurti, përkujtoi se më 12 qershor 2005 Lëvizja Vetëvendosje ndërmori aksionin e parë të saj me shkrimin e parullës së parë “Jo negociata! Vetëvendosje!”, e cila, siç u shpreh ai, “vazhdon të mbetet aktuale dhe domethënia e së cilës është universale”.

“Ne dëshironim që të mos ketë negociata me Serbinë, por donim vetëvendosje për popullin e Kosovës”, theksoi Kurti.

Votat e hedhura nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në 422 pika gjithandej Kosovës dhe në diasporë për kandidaturën e vetme zyrtarizuan mandatin e parë të Albin Kurtit si kryetar me këtë rezultat: pjesëmarrja e aktivistëve në votim 60%, 5682 vota pro, 31 kundër dhe 62 të pavlefshme.

Në vazhdim, me shumicë votash, delegatët miratuan propozimet e kryetarit të zgjedhur me demokraci të drejtpërdrejtë, në bazë të statutit të sapo miratuar, dhe si rezultat Shpend Ahmeti u zgjodh nënkryetar i parë i Lëvizjes, Dardan Molliqaj sekretar organizativ, Xhelal Sveçla sekretar për marrëdhënie me jashtë si dhe Arbër Zaimi kordinator i komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, me propozim të delegatëve të këshillit dhe me votat e tyre Aida Dërguti u shpall nënkryetare e dytë e Lëvizjes, ndërsa Ismajl Kurteshi kryesues i këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet me grupin e saj prej 14 anëtarësh në Kuvendin e Kosovës.