AAK –ja njoftoi se ka nisur fushatën “Për Ramushin – për të ardhmen” . Fushata do të zgjasë tri javë dhe do të përmbajë aktivitete të ndryshme për të sensibilizuar opinionin për liderin e AAK-së Ramush Haradinaj.
Drejtues të AAK-së kanë marrë vendim për zhvillimin e një fushate në mbështetje të Ramush Haradinajt.
Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, tha se fushata shtrihet në komuna të ndryshme të Kosovës dhe do të zgjasë tre javë. Luma tha se fushata përmbanë aktivitete të ndryshme.
“ Fushata sensibilizuese përfshin aktivitete të ndryshme si koncerte, tryeza shkencore bashkëbisedim me qytetarë në qendra dhe komuna të ndryshme të Kosovës. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, strukturat e AAK-së, të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim bindjesh politike, pa dallim moshe dhe gjinie në mbështetje të kësaj kampanje, e cila është një kampanjë ndoshta vendimtare dhe qenësore për procesin në Tribunalin e Hagës, që pritet të fillojë këto ditë dhe të përfundojë brenda pak muajsh ndaj z.Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha Luma.
Zyrtarë të AAK-së po ashtu shprehin bindjen se Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, janë plotësisht të pafajshëm.
Fushata “Për Ramushin – për të ardhmen”, filloi mbrëmë me një koncert madhështor që është mbajtur në ambientet e një hoteli në në Therandë . Kjo fushatë do të përmbyllet me datën 23 qershor.