Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 08:56

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosja, aktualisht forca e tretë politike në Kosovë, shënoi dje 6-vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor, Vetëvendosja zhvillon zgjedhjet e brendshme, duke ritheksuar konceptin se për fatin e Kosovës duhet të vendosë populli i saj.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar, Vetëvendosja garoi për herë të parë si subjekt politik, dhe fitoi 14 deputetë duke u renditur si grupi i tretë parlamentar në Kuvend.
“Ne i duam ndryshimet rrënjësore në Kosovë, ndryshimet të cilat nënkuptojnë që pavarësisë t’i bashkangjisim sovranitetin, që zhvillimit ekonomik t’i bashkangjisim prodhimin, që politikës t’i bashkangjisim idealet dhe moralin, që politikën t’ia bashkangjisim ekonomisë, dhe që ekonominë t’ia bashkangjisim shoqërisë”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti në një mbledhje zgjedhore në qytetin e Klinës.
Në përvjetorin e gjashtë të themelimit, Lëvizja Vetëvendosja do të organizojë në Prishtinë disa aktivitete. Promovimi i Monografisë së Lëvizjes Vetëvendosja dhe një ekspozitë në sheshin “Nëna Terezë” janë pjesë e këtyre aktiviteteve.