Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 19:06

Prishtinë-Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Hasan Preteni vazhdon të kritikojë gjykatat për mos luftimin e korrupsionit në Kosovë. Gjatë prezantimit të raportit vjetor, Preteni tha se korrupsioni vazhdon të jetë fenomen me përmasa shqetësuese. Ai tha se korrupsioni është i shtrirë më shumë në nivelet më të larta të institucioneve, sidomos në prokurorim.

“Korrupsion, aty ku ka para. Korrupsioni në Kosovë ka shtrirje në nivelet më të larta, ku ka buxhet më shumë, ku ka fusha të prokurimit më shumë, ku ka investime kapitale më shumë dhe nga këto 39, apo 240 që nga funksionalizimi i agjencisë, 90  për qind të tyre janë të fushës së prokurorimit”-tha ai.

Preteni shtoi se Agjencia Kundër Korrupsionit ka gjetur bazë për të hetuar 160 raste, ku janë të përfshira gjykatat, qeveria, pushteti lokal, prokuroritë dhe institucionet që kanë një status të veçantë, si Aeroporti, PTK-ja, KEK-u, ndërmarrjet shoqërore dhe ato publike dhe institucionet tjera të pavarura.

Preteni tha se prokurive dhe policisë vendore dhe ndërkombëtare, i janë dërguar në 39 raste, 121 emra dhe se vlera e përgjithshme e dëmit që konsiderohet t’i bëhet shtetit kalon shifrën 10 milionë euro.

Mirëpo ai nuk bëri të ditur emra të zyrtarëve që mund të jenë të përfshirë. Preteni po ashtu deklaroi se nuk janë të kënaqur me dinamikën e deklarimit të pasurisë dhe se numri i atyre që kanë deklaruar pasurinë deri dje është vetëm 50 për qind dhe se afati për deklarimin e pasurisë është deri më  31 mars. (LajmeShqip.com)