Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 01:21

Prishtinë (shënim i gazetarit të ATSH-së, Behlul Jashari) – Ishte ora 05:17 e mëngjesit në 12 Qershorin e para 12 viteve, kur tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë. Ishte ora kur po ndodhte liria dhe paqja në Kosovën që po linte pas luftën, me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit të forcave serbe kundër shqiptarëve, me mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur e afër 1 milion të dëbuar, shumica prej tyre në Shqipëri.
“Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, thoshte në atë mëngjes një nga refugjatët në kampin afër kufirit në Bllacë të Maqedonisë, të cilët ishin nisur më këmbë për në Kosovë, drejt qyteteve dhe fshatrave, shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura.
Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthnin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e forcës më të madhe planetare, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme.
Luftëtarë të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tashmë kishin lënë armët, por ende mbanin uniformat me shqiponjën dykrenare, kishin dalë të prisnin e përshëndesnin forcën aleate të Aleancës Veriatlantike.
Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe duket se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e tunelin e afërt në Grykën Kaçanikut.
Derisa gazetarët në kolonën e NATO-s po komentonin si të përçudshme grafite se “Kosova është Serbi”, të shkruara nga forcat serbe duke u tërhequr , si një përgjigje se çfarë është Kosova u shfaq një pamje në Kaçanik: si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën ishte ngritur dhe valonte flamuri kombëtar shqiptar mbi ndërtesën më të lartë të qytezës, ku më 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj nga Kuvendi i Kosovës, në një mbledhje në ilegalitet në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Flamurin kuqezi e kishin ngritur ushtarët e UÇK-së, të cilët ishin vendosur edhe në ndërtesën e stacionit të policisë, prej nga ishin dëbuar forcat serbe.
Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.
“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.
Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vinin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet : “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”.
Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytezës së Lipjanit u mbushën me tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbeti për të nesërmen.
“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët, të cilëve iu bashkuam, edhe pse e dinim se të hyje në kryeqytet para se të hyjë NATO, rreziku ishte shumë i madh.
Vetëm para pak më shumë se një muaji, më 6 maj, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.
Kisha raportuar se “shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja. Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postës së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni”.
Duke kujtuar edhe ditën e largimit nga Prishtina pasi në mbrëmjen e 24 marsit kisha raportuar për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e hakmarrjen e forcave serbe me masakra në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës, kishim mbërritur në kryeqytet, para mbrëmjes së 12 qershorit.
Në qendrën e Prishtinës, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se sa ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte të shtëna me breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi…
Në të gjitha anët në Prishtinë, breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë gjithë natës dhe plumbat binin mbi kulmin e shtëpisë së boshatisur, ku ishim strehuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.
Në ditën e 13 qershorit, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive të tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nga Veterniku dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës.
Nga këto pamje, në ATSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen.”.
Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve të tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Ishin djegur edhe selia e Zyrës së SHBA-ve, dhe selia e Presidencës dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.
Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende vetëm serbë kishte në të, ndërsa thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër torturash për shqiptarët e rrëmbyer e të arrestuar.
Në Prishtinë, vetëm një lokal-klub i vogël në qendër ishte i hapur dhe i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në vendin ku po ndodhte liria, në kryeqytetin e Kosovës, në sheshin ku deri në atë orë s’kishin guxuar të dalin…
Ai shesh dhe të gjitha rrugët dhe sheshet në orën e ditën e hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s, 12 qershor, do të jenë të mbushur me flamuj e njerëz në festën për 12-vjetorin e lirisë së Kosovës së pavarur, që më shumë se tre vjet e të njohur nga 76 shtete të botës.