Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 08:08

Kosova shënoi fitoren e parë për anëtarësimin në UNESCO pasi Këshilli Ekzekutiv rekomandoi anëtarësimin e saj. Padyshim është një fitore për Kosovën, por edhe një sukses i diplomacisë shqiptare.

Mbi këtë çështje u diskutua me ambasadoren e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, që përmes një lidhje me “Skype” në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” tregoi më shumë për lobimin që misioni shqiptar ka bërë pro-Kosovës.

Kadare u shpreh se nuk ka pasur shumë surpriza në votim, përveç një vendi i cili kishte premtuar që do të abstenonte, por në të vërtetë kishte dalë kundër. Po ashtu, për ambasadoren e Shqipërisë në UNESCO zhgënjyese ishte edhe fakti që Egjipti, Japonia dhe Korea e Jugut, vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u rreshtuan kundër anëtarësimit.

Sa i përket Këshillit të Përgjithshëm që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar.

Intervista e plotë

Pandi Gjata: Do të doja një impresion të parë se si ishte atmosfera përpara se të shkohej në votim për Kosovën, si ishte atmosfera në sallë, mes vendeve që ishin “kundër”, “pro” dhe atyre që abstenuan dhe a menduat se mund të kishte një skenar që nuk do të ishte në favor të Kosovës?

Besiana Kadare: Në radhë të parë doja të thosha që jam shumë e lumtur që pata fatin të marrë pjesë në një debat dhe votim kaq të rëndësishëm, siç është anëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Kishim shumë besim që rezultati i votës në Këshill Ekzekutiv do të ishte pozitiv, pasi shumica e anëtarëve na kishin konfirmuar mbështetje me shkrim. Kisha informacione që disa nga vendet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës ndoshta do të paraqisnin një mocion procedure për shtyrjen e debatit, shtyrjen pas 2, 4 viteve, shtyrje pa afat, në mënyrë që të evitonin votën mbi substancën e pikës, pasi e dinin që kjo votë ishte e humbur për ta.

Pandi Gjata: Kishte ndonjë vend që ndryshoi qëndrim në momentet e fundit në favor të Kosovës, që ishte kundër apo abstenim?

Besiana Kadare: Jo, i dinim pak a shumë votat. Na ishin komunikuar më përpara, por kishte një vend, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, që na kishte lënë të kuptojmë se do të abstenonte dhe në fakt votoi “kundër”. Gjithashtu, zhgënjyese ishte edhe për tre vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe abstenuan, bëhet fjalë për Egjiptin, Japoninë dhe Korenë (e Jugut).

Pandi Gjata: Detaj i rëndësishëm ishte që edhe dy fqinjët e Kosovës, por edhe të Serbisë, Mali i Zi dhe Maqedonia që pavarësisht se i dimë lidhjet e tyre të vjetra me Serbinë, votuan “pro” anëtarësimit të Kosovës.

Besiana Kadare: Po, do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan “pro” Kosovës. Sigurisht, në mënyrë të veçantë dua të falënderoj të dy fqinjët, Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje ambasadori i Maqedonisë mori edhe fjalën pas votimit dhe bëri një ndërhyrje shumë të bukur në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës.

Pandi Gjata: Duhet theksuar se Serbia nuk është anëtare e Këshillit Ekzekutiv, që do të thotë se nuk kishte të drejtë vote…

Besiana Kadare: Po, e saktë. Nuk është anëtare në këtë moment…

Pandi Gjata: …dhe kishte vetëm të drejtën e lobimit te vendet të cilat kanë qëndrime pothuajse të njëjta, pra për të votuar “kundër”. Doja të theksoja se nga janari ju loboni për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ka qenë e vështirë për ju personalisht, por edhe për misionin e Shqipërisë për të lobuar pro-Kosovës?

Besiana Kadare: Nuk ka qenë e vështirë, është një punë e bukur, interesante dhe e kam bërë me pasion dhe kënaqësi. Ka pasur punë për të sqaruar procedurat e ndryshme që duhet ndjekur, që ka pasur probleme proceduriale se si do të përcillet anëtarësimi, kush do ta fusë pikën në axhendë, mbledhja e firmave të vendeve që bashkësponsorizuan, takimet me të gjithë anëtarët e UNESCO-s, hartimi i tezave…

Pandi Gjata: …cili ka qenë vendi më i vështirë për ta bindur, për t’ia argumentuar se pse Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s?

Besiana Kadare: Ka një numër vendesh të cilat i kemi takuar, por që e dinim se do të votonin “kundër” dhe ashtu bënë. Të gjitha vendet e “BRICS”-it, Brazili, Rusia, Kina, India, Argjentina, Kuba, Ekuadori dhe të gjitha vendet që u rreshtuan kundër dhe më thënë të drejtën e kanë shprehur mjaft qartë që janë kundër, përfshirë edhe Spanjën, kështu që nuk ishte surprizë. Duhet theksuar se mbështetje e madhe përveç nga europianët dhe SHBA-të, ka pasur edhe nga “grupi afrikan” dhe “grupi arab”. Shumë prej vendeve të cilat bënë pjesë në këto grupe, pa iu sponsorizuar kërkesën, por edhe shumë vende të Amerikës Latine, kanë dhënë mbështetje, duke bërë që të ketë mbështetje nga të gjitha kontinentet.

Pandi Gjata: Në nëntor do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, si parashikohet votimi në Këshillin e Përgjithshëm të UNESKO-s?

Besiana Kadare: Në Këshillin e Përgjithshëm kërkohet një maxhorancë prej 2/3-ve…

Pandi Gjata: Me llogaritë që ju keni, është e arritshme kjo 2/3-at?

Besiana Kadare: Natyrisht, ne besojmë që është e arritshme, pasi siç e thashë edhe më parë, kemi takuar të gjitha vendet anëtare, është lobuar dhe kemi pak a shumë një ide të qartë të votave. Natyrisht që mund të ketë surpriza në momentet e fundit, por do të thosha që ka 90% mundësi që votimin ta fitojmë. Gjithashtu duhet përmendur se në historinë 70-vjeçare të UNESCO-s asnjëherë nuk ka ndodhur që Këshilli i Përgjithshëm të mos miratojë një rekomandim të Këshillit Ekzekutiv. Rekomandimi pozitiv që miratoi Këshilli Ekzekutiv padyshim që ka shumë rëndësi dhe mendojmë që do të influencojë pozitivisht edhe shumë vende të cilat ende nuk kanë një qëndrim të prerë, sidomos te vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Shpresojmë që do të ketë një numër prej tyre që mund të votojnë “pro” ose ndoshta do të abstenojnë.