Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 10:49

Prishtinë – Në përkujtim të 10-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, do të organizojë një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat e kësaj dite tragjike për SHBA-në dhe krejt botën demokratike.

Në shenjë nderimi për viktimat dhe solidarizimi me të mbijetuarit, familjet dhe kombin e madh amerikan, janë ftuar qytetarët e Prishtinës, që të dielën më 11 shtator 2011, në ora 19:00, të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në qendër të Prishtinës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës fton të gjithë qytetarët e Kosovës, që të bashkohen në solidarizimin dhe nderimin për viktimat e 11 shtatorit, duke riafirmuar frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë dhe për të dënuar sulmet terroriste kundër lirisë, demokracisë dhe botës së përparuar perëndimore.

Populli i Kosovës tashmë e ka shndërruar këtë përvjetor në ditë të kujtesës dhe respektit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleates themeltare të shtetësisë së Kosovës.

Në 11 shtator 2001, në SHBA humbën jetën rreth 3 mijë persona, kur terroristët rrëmbyen katër aeroplanë të linjave civile ajrore dhe fluturuan drejt kullave binjake të Nju Jorkut dhe Pentagonit. Aeroplani i katërt u rrëzua në shtetin lindor të Pensilvanisë.