Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:15

Prishtinë- Nga mesnata ka filluar zbatimi i urdhërit të ministres së tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari-Lila për mos lejimin e mallrave maqedonase të hyjnë në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ishte e pranishme në mesnatë në kufirin Kosovë-Maqedoni në Hanin e Elezit, ku doganierët kujdestar vunë në praktikë urdhërin për ndalimin e produkteve maqedonase.
Dy kamionë që transportonin gypa të prodhuar në një fabrikë në Gjevgjeli, ishin të parët që u përballën me praktikat e reja kufitare.
Ata u detyruan të ktheheshin prapa nga terminali doganor në Han të Elezit për në terminalin maqedonas në Bllacë, pasi kishin arritur pak minuta pas hyrjes në fuqi të urdhëresës administrative, transmeton rel.
Problemet mes Kosovës dhe Maqedonisë ndërkaq nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovar.
Më pas, qeveria në Prishtinë miratoi kundër masa, të cilat kushtëzonin importin e disa produkteve të qumështit që prodhohen në Maqedoni.
24 orë më parë, pala maqedonase vendosi rregulla të reja për kosovarët, ku secili që hynë në këtë territor duhet të paguajë 2 euro për veten, dhe 5 euro për makinën.
Vendimi u pa si provokim nga Prishtina zyrtare, e cila nga e hëna bllokoi hyrjen e prodhimeve maqedone.