Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 11:31

Autoritetet zvicerane po planifikojnë masa të ashpra kundër personave që luftojnë për “Shtetin Islamik”. Mes tjerash parashihet marrja e shtetësisë, ndalimi i udhëtimit dhe kontrolli i të dhënave të udhëtimit. Kosova tashmë ia dorëzon të dhënat e udhëtarëve shërbimit sekret të Zvicrës NDB.

Rreth 70 persona që jetojnë në Zvicër apo kanë lidhje me këtë shtet dyshohet se kanë shkuar në Siri për të luftuar në radhët e milicisë së terrorit që njihet me emrin “Shteti Islamik”.

Autoritetet zvicerane po synojnë që përmes masave preventive dhe represive të pengojnë që shtetasit dhe banorët e Zvicrës t’i bashkangjiten organizatave si «Shteti Islamik» apo al-Kaida.

Sipas informatave të shërbimit sekret të Zvicrës “NDB”, së fundi nga Zvicra në Siri kanë shkuar edhe gjashtë gra dhe dy fëmijë.

Një grup punues i qeverisë së Zvicrës ka propozuar që shërbimit sekret NDB t’i dërgohen të dhënat e pasagjerëve nga disa aeroporte.

Siç shkruan gazeta «Tages Anzeiger» në numrin e së martës deri më tani Kosova, Turqia dhe Rusia rregullisht e njoftojnë shërbimin sekret të Zvicrës se kush fluturon nga këto vende në drejtim të aeroporteve zvicerane (në Zürich, Gjenevë, Basel).

Në Zvicër po ashtu po diskutohet nëse ky shtet do t’i bashkangjitet një nisme të Bashkimit Europian, e cila parasheh që agjencitë turistike t’ua dorëzojnë autoriteteve të sigurisë të gjitha të dhënat e udhëtarëve, përfshirë informacionet që përmbajnë kartelat bankare apo dëshirat kulinarike të pasagjerëve në avion. Kjo nismë tani për tani është e bllokuar për shkak të rezervave mbi mbrojtjen e të dhënave.

Grupi punues propozon që personave që dyshohen se mund t’i bashkangjiten «Shtetit Islamik» t’u ndalohet udhëtimi jashtë shtetit.

Që nga viti 2012, Zyra Konfederale e Policisë ka ndaluar po ashtu hyrjen në Zvicër të 22 personave të dyshuar për aktivitete terroriste apo simpati për grupet radikale fetare. Kjo nuk është e mundshme nëse i dyshuari është shtetas zviceran.

Por, edhe në këtë drejtim priten ndryshime.

Zvicra paralajmëron se do t’ua marrë shtetësinë atyre që shkojnë për të luftuar në Siri për organizata terroriste.

Një gjë e tillë parashihet edhe me një paragraf të ligjit zviceran për shtetësinë, të miratuar para 60 vitesh.

Deri më tani ky paragraf nuk është aplikuar asnjëherë. Shtetësia mund t’i merret një personi nëse ai «dëmton imazhin apo interesat» e vendit.

Në mesin e të dyshuarve që luftojnë për «Shtetin Islamik» janë edhe disa shqiptarë që kanë banuar në Zvicër.

Para gati një viti dy fëmijë të një familje kosovare nga qyteti Winterthur humbën pa gjurmë dhe mendohet se gjenden në Siri.

Sivjet në Siri është vrarë Valdet Gashi, një boksier, i cili kishte shtetësi gjermane, por drejtonte një shkollë të sporteve luftarake në Winterthur.

Në periferi të këtij qyteti zhvillon aktivitete të dyshimta edhe një xhami, e cila në mesin e komunitetit shqiptar njihet si «xhamia e arabëve», por në drejtimin e saj janë të kyçur edhe shqiptarët. /dialogplus.ch/