Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 16:29

Njësitë policore të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, edhe këtë vit gjatë zezonës verore do të patrullojnë së bashku në akset rrugore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga periudha kohore 1 korrik e deri në fund të muajit gusht, ku edhe përfundon zezona verore. Ky bashkëpunim është arritur sot, nga drejtoritë Policore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ku edhe kanë nënshkruar një marrëveshje.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se ky aktivitet është bërë tradicional dhe se mbi bazën e vlerësimeve që dy policitë e dy shteteve kanë bërë, ka rezultuar se ka treguar suksese në shumë fusha e mbi të gjitha në fushën e qarkullimit rrugor.

“Qëllim i këtij aktiviteti do të jetë në shumë drejtime, duke filluar nga shkëmbimi i përvojave në mes të dy policive në fushën e policimit rrugor, pastaj mbështetja në parandalimin e ngjarjeve aksidentale, ku synim kryesor do të jetë ruajtja e jetës së njerëzve në qarkullim rrugor, fuqizimi i përgjithshëm i sigurisë në qarkullimin rrugor , p astaj do të jetë trajtimi i të gjithë shkelësve, apo kundërvajtësve të cilët në një mënyrë apo tjetrën bien ndesh me rregullativën ligjore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe vlerësimet e përbashkëta që duhet pasuar nga të dyja policitë për të menaxhuar në mënyrë profesionale tërë këtë aktivitet, pra që do të realizohet nga dy policitë e dy vendeve”, ka thënë ai.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi, tha se janë të përgatitur dhe se janë duke u munduar që tu krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme që i duhen çdo turisti të zakonshëm.

“Tashmë është bërë traditë bashkëpunimi i dy policive të fushës së qarkullimit rrugor edhe në vitet e mëparshme këto kanë dhënë rezultate pozitive sido mos në menaxhimin e trafikut, por edhe në trajtimin e shkeljeve të ndryshme, apo edhe në trajtimin e ngjarjeve të tjera aksidentale, të cilat kanë bërë që t’i përgjigjem në një kohë më të shpejtë, të gjithë qytetarëve e sidomos përdoruesve të rrugës që vinë nga Kosova duke shfrytëzuar bregdetin shqiptar. Është një sezone që ka një fluks të shtuar të mjeteve dhe ne jemi të përgatitur, por edhe jemi të interesuar që tu krijojmë të gjitha lehtësitë e nevojshme pushuesve që vinë nga Kosova dhe turistëve nga Kosova për të krijuar të gjitha ato lehtësirat e nevojshme që duhet t’i krijohen turistëve në përgjithësi”, ka thënë Didi.

Ndërsa, në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, janë paraparë që nga Policia e Kosovës të jenë tri patrullime, të cilët do të patrullojnë gjatë gjithë seznonës verore, brenda territorit të Shqipërisë.