Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 10:28

Banka Botërore (BB) publikoi raportin vjetor për lehtësinë e të bërit biznes, që vlerëson faktorët që lehtësojnë ose pengojnë biznesin në 189 vende të botës. Vlerësimi përfshin periudhën nga viti 2014 deri në qershor të vitit 2015.

Kosova renditet e 66-ta mes 189 vendeve dhe përparimin më të madh e ka arritur me lehtësimin e pagimit të taksave për kompanitë duke eliminuar tarifën vjetore për licencën e biznesit.

Sipas raportit, Shqipëria shënon ulje në klasifikimin e 189 vendeve, duke u radhitur në vendin e 97. Një viti më parë Shqipëria renditej e 68.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, Shqipëria ka shënuar hapa prapa në aspektin e lejeve të ndërtimit, duke e bërë më të vështirë procesin për shkak të pezullimit në dhënien e këtyre lejeve.

Vendi ka marrë vlerësime pozitive në forcimin e mbrojtjes së investimeve të pakicave, duke paraqitur kërkesa ligjore për publikimin e menjëhershëm të transaksioneve.

Shqipëria, sipas raportit të Bankës Botërore ka lehtësuar gjithashtu eksportin ndërkufitar duke zbatuar një sistem elektronik inspektimi që ka shkurtuar kohën e procedurave që kryhen në kufi, raporton Koha.net.

Për rajonin e Euro-Azisë, renditjen më të lartë e ka Maqedonia, duke zënë vendin e 12. Sipas Bankës Botërore, Maqedonia merr pikë shumë të larta në disa fusha për lehtësinë e të bërit biznes.

Gjatë vitit të kaluar, për shembull, Maqedonia e lehtësoi më tej procesin duke kërkuar regjistrimin të detyruar online. Si rezultat, Maqedonia renditet e dyta në botë në kategorinë e hapjes së një biznesi.

Pesë treguesit kryesorë që ndikuan në vlerësimet e raportit të të bërit biznes, janë Lejet e Ndërtimit, Furnizimi me Energji, Zbatimi i Kontratave, Regjistrimi i Pronave dhe Tregtia Ndërkufitare.

Raporti i këtij viti finalizon një punë dy vjeçare për të zgjeruar kriteret që përdoren për matjen e cilësisë së rregullave, si dhe efektshmërinë e kornizës ligjore të të bërit biznes, në mënyrë që të bëhet një vlerësim më i saktë i realitetit në terren.