Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:38

Prishtinë – Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, edhe me tutje nuk po mundet që prodhimet e tij t’i shpërndajë në tregun shqiptar.

Ai, por edhe prodhues të tjerë të kësaj natyre, ka qe dy javë që nuk kanë futur asnjë gram mish në territorin e Shqipërisë, pasi autoritetet doganore shqiptare në kufij i kanë kërkuar që brenda hapësirave ku gjendet i ngarkuar mishi, të kenë të vendosura termometra dixhital, që deri më tani nuk ishte kërkuar një gjë e tillë.
Piraj thotë se porosinë e termometrit e ka bërë menjëherë kur i është kërkuar, por deri më tani nuk ka arritur ta marrë. “Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet fqinje të Kosovës po krijojnë barriera”ka thënë ai.
Sipas tij, edhe kërkesat e shteteve fqinje për produktet nga Kosova janë të veçanta dhe nuk i kërkohen vendeve të tjera.
“Kërkesat që bëhen nga Shqipëria për Kosovën, nuk bëhen për Maqedoninë, Greqinë, Italinë dhe vendet e tjera, por vetëm për produktet kosovare” tha më tej ai.
Piraj ka mbetur i befasuar se si institucionet e Kosovës nuk i kundërpërgjigjen me masa të njëjta produkteve të Shqipërisë.
“Parashtrohet pyetja se a kanë termometër dixhital me printerë të temperaturës automjetet që sjellin peshkun nga Shqipëria në Kosovë, ose kamionët që sjellin mish nga Shqipëria. Pse nuk kërkohet nga AUV që të aplikojë masa reciprociteti”ka thënë me tej Piraj.
Në anën tjetër, sekretari i Dhomës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se “lufta” tregtare mes dy shteteve duhet të zgjidhen politikisht në mes dy qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
“Shqipëria ka ndërtuar kësi lloj barriera, në mënyrë që të favorizojë prodhimet e saja vendore.”ka thënë ai .
Sipas tij, qeveritë e dy shteteve sa më shpejt që është e mundur, duhet ta zgjidhin këtë problem, për t’i hapur rruge zhvillimit të bizneseve në të dyja anët e kufirit
Po ashtu edhe të dhënat e Doganave të Kosovës të tregojnë fare qartë se prodhuesit kosovar kanë eksportuar shumë pak produkte në tregun shqiptar.
Zëdhënësi i Doganave. Adriatik Stavileci. thotë se sipas statistikave të shkëmbimit tregtar mes këtyre dy vendeve, vetëm përgjatë muajit qershor, mund të vërehet se Shqipëria eksporton në tregun e Kosovës dhjetë fish më tepër sesa eksporton Kosova për në tregun e Shqipërisë.
Sipas statistikave të Doganave të Kosovës, gjatë muajit qershor kompanitë nga Shqipëria kanë eksportuar në Kosovë produkte në vlere prej 11.747.870 milionë euro, kurse ato nga Kosova në Shqipëri vetëm 1.7466.067 milionë euro./Zëri/