Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 17:02

Shkup – Maqedonia dhe Kosova kanë nënshkruar sot marrëveshjen për hapjen e pikës se re kufitare, Bellanoc- Stançiç.

Dy ministrat e Brendshëm, Gordana Jankullovska dhe Bajram Rexhepi, janë takuar në pikën kufitare në Jazhincë, për të nënshkruar Marrëveshjen e Menaxhimit të Përbashkët të Kufirit, në vendkalimin që lidh zonën e Likovës me vendbanimin Stanqi të Kosovës.
Ministri Bajram Rexhepi theksoi se hapja e pikës së re të përbashkët kufitare Bellanoc- Stançiç është e një rëndësie të veçantë për qytetarët nga të dyja anët, duke pas parasysh se atyre i është dashur të udhëtojnë me kilometra për kalimin e kufirit, njoftojnë mediat shqiptare nga Maqedonia.
Po ashtu, me rëndësi të veçantë ka transporti i mallrave në mes të dy vendeve dhe më gjerë në rajon.
Të dy ministrat theksuan se në një të ardhme të afërt, vendkalimi kufitar në Glloboçicë, do të konkurrojë me projekt të përbashkët në fondet e Komisionit Evropian, që edhe ky vendkalim të bëhet vendkalim kufitar në përputhje me konceptin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit të Përbashkët mes dy shteteve.
Vendkalimi kufitar në Glloboçicë, që gjendet në mes të Gjilanit dhe Kumanovës, do të jetë i karakterit ndërkombëtar, respektivisht i kategorisë A. 
Financimi do bëhet nga Komisioni Evropian, si projekt i përbashkët i të dy shteteve.