Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 12:48

Tiranë- Përmbarimi pritet sot të marrë selinë e Partisë Social Demokrate (PSD), godine e cila duhet t’i kthehet pronarit. Prej disa ditësh, selia ishte e kyçur dhe godina ruhej nga një polic privat, ndërsa sot Përmbarimi ka mbërritur që në orët e para të mëngjesit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. 

Përveç konfliktit që kreu i PSD, Gjinushi ka me pronarin e ndërtesës, situatës sot i shtohet dhe përplasja mes Policisë Private dhe asaj të Shtetit.

Konflikti nisi kur Policia Private e kontraktuar nga pronari që pretendon ndërtesën ka reaguar ashpër ndaj Policisë së Shtetit.

Pronari që pretendon se e gëzon me dokumenta godinën e PSD ka marrë për ndihmesë Policinë Private të ndihmojë Përmbarimin në marrjen e godinës. Në këtë mes ka ndërhyrë Policia e Shtetit që ka kërkuar që policia private të largohet nga objekti dhe procedura të ezaurohen nga Përmbarimi. Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga policia private me emërtimin ‘Aulona”. Kjo ka shkaktuar edhe një përplasje fizike mes dy policive. Si rrjedhojë, Policia e Shtetit ka shoqëruar në komisariat Policinë Private.

“Pasi dera është hapur me forcë, sepse kështu e kërkon edhe protokolli, roja private ka bërë mbylljen e portës së brendshme”, bën me dije Erjon Skendaj nga vendgjarja.

Gazetari i “News 24″, Erjon Skëndaj raportoi nga selia e PSD-së, nga ku bëri të ditur se “kryetari Skëndër Gjinushi kishte mbërritur në seli, por nuk është lejuar të futet në ambientet e brendshme të selisë, duke shmangur edhe çdo lloj komenti. Gjate gjithe situates se ndezur, Gjinushi qendroi në një lokal përballë selisë”. 

 

Pronari i nderteses
Pronari i godinës 3 katëshe, Osman Metallohu shpreh për “News 24”, se: “Vendimi i gjykatës është i formës së prerë, ne kemi fituar gjyqin, nuk e kuptoj pse Skënder Gjinushi po mban pronën e tjetrit”. 

Gjinushi
Kurse, kryetari i PSD-së në një deklaratë për mediat, nga lokali ku ndodhej, është shprehur se: “Janë falsifikuar dokumentet, PSD ka fituar gjyqin me antë të vendimit të Gjykatës së Lartë,personi që pretendon se është pronari ndodhet në gjyq prej 5 vjetësh dhe i ka humbur të gjitha gjyqet, ky pronar ka vetëm 1/3 e pronës, ndërsa pjesa tjetër është pronë shtetërore, ndërsa ky pretendon ta marrë të gjithë godinën nëpërmjet falsifikimit. Enti Kombëtar i Banesave merret me banesat jo me selitë, por disa banda qeveritare apo ish-qeveritare merren me letra fallso dhe marrin vendime të tilla. Përgjegjësi do të japë llogari para Prokurorisë dhe më pas para gjykatës”. 

Përmbaruesi
Për mikrofonin e “News 24″, Përmbaruesi Baftjar Nela u shpreh se: “E kemi lajmëruar kryetarin Gjinushi, afati ligjor prej 10 ditësh ka mbaruar, nuk ka më afate, kemi të drejtën të kalojmë në ekzekutim të menjëhershëm, i kemi dhënë kohën e nevojshme që të marrë objektet që ka brenda selisë, qoftë arkivin apo dokumentet e tyre” .