Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 14:06

(E plotësuar)- Ambasadorja e SHBA’së në Kosovë, Tracy Ann Jacobson përmes rrjetit të saj social ‘Twitter’ iu ka uruar dy Kryeministrave- Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç guxim dhe mençuri në takimin e nesërm në Bruksel.

“Uroj Kryeministrit Thaçi dhe Daçiç guxim dhe mençuri në takimin e nesërm në kuadër të dialogut në Bruksel”, ka shkruar Jacobson sot.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë takohen sërish nesër në Bruksel.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, i cili tha se kryeministri Thaçi udhëton sot pasdite për në Bruksel.

Ende ka hapësirë për marrëveshje

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin ka deklaruar se ende ka mundësi që Beogradi e Prishtina të merren vesh për kompetencat e komunave serbe në veri të Kosovës.

”Kjo marrëveshje do të ishte hap vendimtar drejt normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe kjo është interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomit të Serbisë e Kosovës dhe i të gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Thaçi e Daçiq takohen të mërkurën në Bruksel?

Dialogu ndërmjet Serbisë e Kosovës do të vazhdojë të mërkurën në Bruksel, shkruan një shkrim ekskluziv gazeta “Blic” e Beogradit e cila u referohet burimeve diplomatike, pasi që të tri palët për këtë janë marrë vesh dje.

Ky burim diplomatik i ka thënë gazetës se formacionet e delegacioneve do të dihen sot edhe pse është e sigurt se në krye të atij serb do të jetë vet kryeministri Ivica Daçiq por nuk është e sigurt nëse do t’i bashkohet edhe nën-kryeministri i parë Vuçiq. Burimi ka deklaruar se delegacioni serb do të vjen në Bruksel me propozime konkrete.

Sikurse mëson gazeta nga qeveria e Serbisë, kushti i palës serbe është që nga marrëveshja e fundit (të cilën e ka refuzuar pala serbe) të hiqet pjesa sipas të cilës Mitrovica jugore do t’i bashkohej veriut të Kosovës dhe janë reale shanset që kjo të arrihet. Sepse, sikurse mësohet, edhe në Washington edhe në Berlin janë të gatshëm të ushtrojnë trysni mbi Prishtinën lidhur me këtë. (Në Berlin po qëndron ministri jashtëm i Kosovës dhe zëvendësministrja e jashtme e Serbisë e cila ka takim me këshilltarin e zonjës Merkel).

Gjithashtu Serbia do të mbetet në qëndrimin që një gjykatë e apelit duhet të jetë patjetër në Mitrovicën veriore, do të insistojë në policinë dhe që është më e rëndësishme, do të kërkojë kategorikisht që Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK) nuk munden të jenë në veri të Kosovës.

Sipas gazetës është e sigurt se marrëveshja duhet të arrihet deri të dielën duke qenë se përfaqësuesja e lartë e BE, Catherine Ashton, më 22 prill duhet ta paraqes shefeve të diplomacive të BE raportin mbi dialogun.

Të themi se pengesë kryesore për arritjen e marrëveshjes së ofruar nga Brukseli ka qenë presidenti serb Tomisllav Nikoliq i cili u është kërcënuar Daçiqit dhe Vuçiqit se nëse e pranojnë atë dokument do t’i shpallë fajtor për “shitjen e Kosovës”. Mirëpo pas shumë aktiviteteve diplomatike gjatë javës së shkuar, duket se Nikoliq e ka zbutur retorikën dhe dje në bisedë me kryetarin Parlamentit të Turqisë ka deklaruar se Serbia në dialog me Prishtinën ka treguar gatishmëri të qartë për hap esencial përpara dhe kompromis historik të dy palëve, ama për këtë aktualisht nuk pati vesh tek pjesëmarrësit tjerë në dialog.

Ai ka shtuar se vetëm me vazhdimin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe, siç shprehet, institucioneve të përkohshme në Prishtinë mund të arrihet zgjidhja që do të ishte e pranueshme për të dy palët.(LajmeShqip.com)