Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 11:39

Prishtinë – Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave të ndërsjella dhe për regjistrat civilë, Bashkimi Evropian pati shfaqur shpresën se Brenda pak muajsh palët do t’u jepnin zgjidhje edhe tri çështjeve të tjera: tregtisë së lirë, telekomunikacionit dhe energjisë. Këto të fundit ende janë në diskutim.

Ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar të ketë qenë gabim trashanik i bërë nga ekipi negociues i Kosovës, që listës së problemeve të negociuara me Serbinë nuk i kanë paraprirë problemet ekonomike që disfavorizojnë Kosovën më shumë me Serbinë.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit Riinvest, ka vlerësuar Për gazetën Koha Ditore se marrëveshja e parë e arritur në Bruksel, që ka qenë për reciprocitetin, ka dëmtuar më shumë Serbinë se sa Kosovën. Shkaku kryesor prapa insistimit për zgjidhje nga Beogradi, sipas tij, ka qenë ndërprerja e humbjeve të bizneseve serbe gjatë kohës së reciprocitetit.

Sipas Abdixhikut, pas doganave, buxhetit (fondit për veriun), gjyqësisë e policisë, diferencimi i telekomit dhe energjetikës përmbyll një fazë të tërë ekonomie atje, shkruan Koha Ditore.

“Beogradi insiston në operatorin e tretë ekskluziv serb, i cili kryesisht do të veprojë në veri, dhe është i interesuar për shkëputjen dhe autonominë e rrjetit të Distribucionit të KEK-ut nga pjesa tjetër e Kosovës. Veprimet si këto i japin mundësi veriut të Kosovës të veprojë tërësisht i pavarur nga pjesa e Kosovës sa herë të dojë”, ka thënë Lumir Abdixhiku.