Lajme Shqip e Hënë, 30 Korrik 2012 15:16

Prishtinë – Gjendja e sigurisë në Mitrovicë në dy javët e fundit ka qenë më e qetë, ndërsa problem mbeten barrikadat në rrugët e veriut.

Vlerësimi i situatës u bë sot në takimin e Komitetit të Sigurisë në qytetin më të madh verior të Kosovës, ku kryetari i komunës, Avni Kastrati, theksoi se, “javëve të fundit gjendja ka qenë më e qetë, por vazhdon të jetë e brishtë”.

Sipas tij, “strukturat e sigurisë kanë qenë shumë më aktive kohëve të fundit, gjë që është reflektuar edhe në terren”. Duke theksuar problemet me lëvizjen e lirë që vështirësojnë jetën e qytetarëve në veri, kryetari i komunës së Mitrovicës u shpreh se, “strukturat e sigurisë, sidomos KFOR-i, duhet të veprojë dhe t’i largojnë barrikadat”.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shqetësuese vazhdojnë të jenë të shtënat me armë si në veri, ashtu edhe në jug të qytetit nëpër dasma dhe ahengje. “Është një dukuri që duhet të luftohet në mënyrë të koordinuar”, tha ai. (LajmeShqip.com)