Lajme Shqip e Premte, 29 Qershor 2012 17:21

Tiranë – për 100-vjetorin e Pavarësisë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, miratoi sot sheshet ku do të vendoset Monumenti i Pavarësisë, Monumenti i Kongresit të Lushnjes dhe monumentet e disa prej figurave të njohura të historisë, Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu.

Monumenti i Pavarësisë do vendoset tek Parku ‘Rinia’, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë  së Mbrojtjes. “Ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Komiteti miratoi si vendvendosje të shtatores së Hasan Prishtinës sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit, ndërsa kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishihet, ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje e saj sheshpushimi në fund të Bulevardit “Zogu I”. Monumenti për Kongresin e Lushnjes do të ngrihet në lulishten qëndrore të qytetit të Lushnjës pasi të shpallet fituesi.

Edhe për monumentin e Ismail Qemalit, Komiteti Ndërministror kërkoi që të rishihet edhe pse ka përfunduar tashmë edhe faza e dytë e dorëzimive të boceteve. Shtatorja e Ismail Qemalit do të vendoset në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit  “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Për momentin dihet se cili do të jetë Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, ai i realizuar  nga Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas, ndërsa ende nuk është marrë vendimi për monumentin e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut si dhe Kongresin e Lushnjes. Juria ka përzgjedhur fituesit e konkursit dhe ia ka paraqitur Komiteti Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë që të shpallë monumentet që do të ngrihet në sheshet e zgjedhura.

Kryeministri Berisha propozoi sot që filmi “Besa”, një dokumentar mbi virtytet morale, guximin dhe sakrificën e familjeve shqiptare për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe dokumentari i aktores me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, mbi promovimin e Shqipërisë turistike të përfshihen në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja e tyre edhe për publikun europian e më gjerë.

Gjithashtu kryeministri propozoi që edhe ngjitja në majën e Everestit e grupit të alpinistëve shqiptarë të konsiderohet në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin dhe të mundësohet mbulimi nga qeveria i shpenzimeve të bëra për realizimin e këtij misioni. (LajmeShqip.com)