Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 13:59

Tiranë – Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë më datë 6 korrik kërkesë-padinë e Partisë Socialiste  për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë.

Pas depozitimit të padisë sot paradite nga PS, Kolegji caktoi dhe relatorin e çështjes, gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili do të drejtojë trupën gjyqësore të përbërë nga Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri, Marie Qiriazi dhe Petraq Dhimitri.

Ankimimi i socialistëve, i dorëzuar sot në Kolegj, që kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, shoqërohet me dokumente që mbështesin pretendimet e opozitës per manipulime me votat.

Krahas kërkesës ankimore, PS depozitoi në Kolegj edhe provat filmike të procesit të numërimit në KQZ, të cilat sipas saj, provojnë manipulimet e bëra.

Më 25 qershor KQZ shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama.

Dy ditë më pas PS e kundërshtoi këtë vendim të KQZ-së, përmes një kërkese ankimore të paraqitur në Komisionin Zgjedhor. Por, me shumicë votash, KQZ e hodhi poshtë kërkesën, duke vlerësuar se Komisioni nuk kishte kompetencë për shqyrtimin e ankimimit në fjalë, ndërsa për pikën e dytë të ankimimit, ku kërkohej rivotim në 284 qendra votimi, ajo nuk mund të shqyrtohej për shkelje të afatit 3 ditor.