Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 19:04

Tiranë – Kolegji Zgjedhor zbardhi këtë të mërkurë, pak orë para përfudimit të afatit zyrtar, vendimin e 3 qershorit për rrëzimin e ankimimit të Partisë Socialiste, e cila kërkonte vlerësimin si të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar në garën për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Vendimi i cili la në fuqi rezultatin e dalë nga KQZ-ja për Tiranën, ku u shpall fitues me 81 vota kandidati i “Aleancës për Qytetarin”,Lulzim Basha, pritej të zbardhej ditën e hënë, por kjo nuk ndodhi dhe Kolegji e ka zbardhur vendimin pasditen e së mërkurës.
Partia Socialiste akuzoi Kolegjin se ka shkelur nenin 158/6 që sanksionon se ky institucion është i detyruar ta zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga dhënia e tij ndërsa Kolegji e argumentoi shtyrjen e vendimit me ditët e pushimit në fundjavë, pasi vendimi i mor ditën e premte.

Nisur nga kjo, ora 21:00 e ditës së sotme ishte  edhe afati i fundit duke pasur parasysh që vendimi u mor po në këtë orë ditën e premte.

Kolegji zgjedhor rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kontestonte vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara nga votuesit por PS-ja pritet të ankojë sërish edhe mospërputhjen e votave gjatë vlerësimit të fletëvotimeve të kontestuara.