Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 10:17

TIRANË (PLOTESUAR)- Marrëveshja PS-LSI për krijimin e një koalicioni parazgjedhor, ka sjellë në Tiranë zëvendës/presidentin e parë të Parlamentit Europian, Gianni Pittella, i cili zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PS-së, Edi Rama, dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, për t’i përgëzuar ata për arritjen e marrëveshjes për bashkimin e së majtës shqiptare.

Zyrtari i lartë i PE-së zgjodhi selinë e LSI-së për të komunikuar me mediat, ku u shpreh i bindur se bashkimi i së majtës është garanci për krijimin e një qeverie të re, që siç tha ai, do të përshpejtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

I pyetur nëse Partia Socialiste do të miratojë në Kuvend 3 ligjet ndikuese për marrjen e statusit, Pittella tha se partia e Ramës nuk do të bëhet pengesë për ato që duhen bërë por avancimin e axhendës evropiane.

“Vendosa të vij personalisht për të falenderuar mikun dhe shokun tim Ilir Meta, siç falenderova edhe mikun tim Edi Rama për mirëpritjen e thirrjeve të forcave të qendrës së majtë për mesazhin që të lemë pas të shkuarën dhe të ecim drejt së ardhmes. Ne kemi vlerësuar vendimin e marrë nga partitë e majta në Shqipëri, për bashkimin forcave për t’i garantuar Shqipërisë një të ardhme më të mirë. Problemet në Shqipëri janë të shumta, që lidhen me punësimin dhe borxhin publik dhe kjo do të thotë që zgjidhja më e mirë për këto probleme në vend është bashkimi i te gjitha forcave dhe brenda këtij bashkimi të madh të kombit duhet parë edhe bashkimi i të majtëve në vend. Kjo është një lloj garancie që do të garantojë një qeveri të re që do të jetë e përqënduar tek procesi i integrimit evropian. Në duhet të realizojmë eëndrrën e pjesës më të madhe të shqiptarëve për të bashkuar Shqipërinë me familjen e madhe evropiane. Jam i sigurt që aleanca e forcave të majta në Shqipëri do të ndihmojë për plotësimin e këtij objektivi. Bashkë socialistët shqiptarë dhe evropiane mund të punojnë më në fund pa ndasitë e së shkuarës”- u shpreh Pittella.

Nga ana e tij, kryetari i LSI-së Ilir Meta siguroi zotin Pittella dhe të gjithë socialistët europianë se partia e tij do ta shfrytëzojë këtë moment bashkëpunimi me PS-së për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Më tej Meta theksoi se “LSI-ja e ka nisur sot ditën në opozitë, me angazhimin kryesor për integrimin dhe stabilitetin e vendit”.

“Kemi zhvilluar një takim shumë miqësor, i cili kishte të bënte me situatën më të re politike. Me këtë moment te ri te bashkëpunimit midis LSI dhe PS, e cila ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e socialistëve evropianë, të cilët kanë qenë dhe mbeten shumë të interesuar, jo vetëm për bashkëpunimin midis forcave të majta në Shqipëri dhe për integrimin evropian të Shqipërisë. Siguroj zotin Pitella dhe socialistët evropiane se LSI do ta shfrytëzojë këtë moment të ri bashkëpunimi me qëllim edhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendit, pasi ky është interesi kryesor i të gjithë të majtëve dhe shqiptarëve”- u shpreh Meta.

Rreth orës 09:00, Pittella mbërriti në selinë e PS-së, ku zhvilloi një bisedë me kryetarin Edi Rama, për rreth 1 orë. Në përfundim të takimit, zoti Pittella nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për mediat, ndërkohë që u nis drejt selisë së LSI-së ku zhvilloi takimin me kryetarin Ilir Meta dhe më pas dolën në një konference të përbashkët për shtyp.

Vizita e zëvendës/presidentit të parë të Parlamentit Europian në Tiranë, vjen 3 ditë pasi zyrtari i lartë europian i bëri apel kreut socialist, Edi Rama dhe kreut të LSI, Ilir Meta të bashkohen për të fituar zgjedhjet dhe për të siguruar një rotacion politik duke sjellë në pushtet të majtën shqiptare. Sipas Pitellës, ka ikur koha e qeverisjes së djathtë dhe vetëm koalicioni PS-LSI do të garantojë fitoren në 23 qershor.

Një ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së për krijimin e një koalicioni parazgjedhor. LSI zyrtarizoi largimin nga qeveria dhe fillimin e një bashkëpunimi me PS-në për zgjedhjet e 23 qershorit. Vendimi u mor nga kryesia e LSI-së, ndërkohë që një orë pas mbledhjes, kreu i saj, Ilir Meta konfirmoi tërheqjen nga të gjitha nivelet politike të qeverisjes dhe nënshkrimin në parim të një marrëveshjeje parazgjedhore me PS-në. Para mediave, Meta vuri në dukje se LSI-ja ka zbatuar çdo pikë të marrëveshjes që nënshkroi para 4 vitesh me PD-në, teksa vlerësoi bashkëpunimin me kryeministrin Berisha. (LajmeShqip.com)
********************************************************

Koalicioni parazgjedhor PS-LSI, ka sjellë në Tiranë zëvendës/presidentin e parë të Parlamentit Europian, Gianni Pittella. Rreth orës 09:00 Pittella ka mbërritur në selinë e PS-së, ku u prit nga kryetari i opozitës Edi Rama, ndërkohë që takimi me kryetarin LSI-së, Ilir Meta është parashikuar për në orën 10:30.

Vizita e zëvendës/presidentit të parë të Parlamentit Europian në Tiranë, vjen 3 ditë pasi zyrtari i lartë europian i bëri apel kreut socialist, Edi Rama dhe kreut të LSI, Ilir Meta të bashkohen për të fituar zgjedhjet dhe për të siguruar një rotacion politik duke sjellë në pushtet të majtën shqiptare. Sipas Pitellës, ka ikur koha e qeverisjes së djathtë dhe vetëm koalicioni PS-LSI do të garantojë fitoren në 23 qershor. 

Një ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së për krijimin e një koalicioni parazgjedhor. LSI zyrtarizoi largimin nga qeveria dhe fillimin e një bashkëpunimi me PS-në për zgjedhjet e 23 qershorit. Vendimi u mor nga kryesia e LSI-së, ndërkohë që një orë pas mbledhjes, kreu i saj, Ilir Meta konfirmoi tërheqjen nga të gjitha nivelet politike të qeverisjes dhe nënshkrimin në parim të një marrëveshjeje parazgjedhore me PS-në. Para mediave, Meta vuri në dukje se LSI-ja ka zbatuar çdo pikë të marrëveshjes që nënshkroi para 4 vitesh me PD-në, teksa vlerësoi bashkëpunimin me kryeministrin Berisha.(LajmeShqip.com)