Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 20:11

Prishtinë – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ) vlerëson se në “rastin Kleçka” janë shkelur të gjitha nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të OKB-së.

KMDLNJ në kuadër të mandatit mbikëqyrë edhe proceset gjyqësore nga aspekti i respektimit i të drejtave të njeriut për personat e akuzuar. Në një komunikatë të lëshuar për media të enjten, thuhet se, në këtë kontekst KMDLNJ përcjell edhe gjykimin ndaj të akuzuarve për “rastin Kleçka”.

Në komunikatë bëhet e ditur se KMDLNJ, në asnjë mënyrë nuk ndërhynë duke e prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve, e cila është kompetencë ekskluzivisht e gjykatave, mirëpo reagon në rast kur vlerëson se ka shkelje të procedurës, kur dëmtohet interesi i viktimave apo i të akuzuarve.

“Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut e OKB-së shprehimisht në nenin 7 thotë se: Të gjithë janë të barabartë para Ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabartë para Ligjit…. Pastaj, neni 8 përcakton se: Gjithkush ka të drejtë për mjete efektive juridike para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelën të drejtat themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet. Neni 10 thotë gjithashtu se: Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur dhe të paanshme në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo akuze penale. Dhe pika 1 neni 11 thotë se: Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia në bazë të Ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet.

KMDLNJ mendon se në “rastin Kleçka” janë shkelur të gjitha nenet e kësaj Deklarate deri në këtë fazë të procesit.

1. Dështimi i EULEX-it për sigurimin e dëshmitarit të mbrojtur X, gjatë kohës sa e ka pasur statusin e dëshmitarit të mbrojtur përmbajtësisht e ka dëmtuar procesin:

a) E ka pamundësuar zbardhjen e rastit në mënyrë të paanshme, duke i dëmtuar viktimat;

b) E ka vënë në pozitë të pabarabartë mbrojtjen e të akuzuarve, duke e pamundësuar këtë mbrojtje, ballafaqimin gjatë gjykimit me këtë dëshmitar i cili është llogaritur si dëshmitari kyç i prokurorisë.

E tërë përgjegjësia shkon në adresë të EULEX-it, i cili ka dështuar në mbrojtjen e dëshmitarëve të “mbrojtur”.

2. Përzgjedhja nga ana e prokurorit të rastit e vetëm atyre fakteve me të cilën e mbështet akuzën nga ditari i “dëshmitarit X” dhe injorimi i fakteve nga po i njëjti ditar, i cili është në interes të akuzuarve nuk garanton një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Është një qasje diskriminuese që e dëmton procesin dhe zbardhjen e së vërtetës.

3. Thirrja në imunitet e prokurorit të “rastit Kleçka” në rast se është ftuar si dëshmitar rëndë e dëmton rastin dhe nuk garanton gjykim të drejtë. Askush, qoftë edhe ndërkombëtar nuk ka të drejtë të thirret në imunitet në rast se ftohet si dëshmitar, sepse imuniteti vlen vetëm në rast të përgjegjësisë penale ndonëse edhe ky fakt për KMDLNJ është i papranueshëm, sepse: të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Në rastin konkret prokurori Salustro e vë veten mbi ligj. KMDLNJ rikujton opinionin se edhe ambasadori i ndjerë Riçard Holbruk ka qenë i ftuar si dëshmitar si dhe gjenerali Uesli Klark dhe shumë personalitete tjera publike, politike etj. kanë qenë dëshmitarë në procese të ngjashme.

KMDLNJ vlerëson se thirrja dhe fshehja prapa imunitetit të prokurorit Salustro përfundimisht e komprometon procesin, duke e bërë atë të dyshimtë dhe për pasojë e pësojnë edhe viktimat si dhe do të pamundësohet e drejta për mbrojtje efektive para ligjit për të akuzuarit. Prokurori i rastit në fjalë pas fakteve të reja vetëm sa mund të pengojë zbardhjen e së vërtetës, për shkak të qasjes së tij diskriminuese dhe shkeljeve të vazhdueshme të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst KMDLNJ kërkon që të krijohen kushtet për një gjykim të drejtë, të paanshëm jashtë çdo ndikimi politik, pas së cilave gjykata do të merr një vendim të mbështetur në prova.

KMDLNJ kërkon drejtësi për viktimat përmes zbardhjes së rastit. Gjithashtu, KMDLNJ kërkon që të akuzuarve t’u krijohen të gjitha kushtet për mbrojtje të parapara me ligj sepse mohimi i përkohshëm i lirisë nuk nënkupton edhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe qasje paragjykuese. Sepse, çdo paragjykim është ndërhyrje në punën e gjykatave si dhe presion për marrjen e një vendimi të drejtë.

KMDLNJ kërkon nga autoritetet që të mbrohen dëshmitarët e mbrojtur, sepse në të kundërtën nuk do të ketë rezultate në luftë kundër atyre që janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit, shkeljes së ligjeve të luftës, korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar etj.”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.