Lajme Shqip Wednesday, 04 July 2012 20:35

Tiranë - Tjetër skandal i Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se Rektori Dhori Kule ka abuzuar deri dhe me dietat.

Në raportin e KLSH-së theksohet se më datë 13 tetor 2009 janë paguar shpenzime udhëtimi, dieta, për zotin Dhori Kule dhe një prej drejtorëve të tjerë të Rektoratit në shumën 835 euro për pesë ditë shërbimi.

Në shpenzimet e udhëtimit, përveç dietës së plotë, Rektori Kule ka përfituar më shumë para, të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ja ka njohur si dëm ekonomik.

Abuzimet e konstatuara nga KLSH-ja në Rektoratin e Universitetit të Tiranës janë edhe ato me orët jashtë orarit.

Në raport theksohet se në vitin 2008, në 17 raste, në shumën 6.1 milionë lekë të reja, janë kryer pagesa për orët jashtë orarit në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku bashkëlidhur nuk ka kërkesë dhe urdhër për kryerjen e këtyre orëve suplementare nga punonjësit dhe epërorët e tyre, por janë vetëm urdhrat e titullarit për pagesë.

Në raportin e KLSH-së evidentohen edhe abuzime të tjera, të bëra në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, me tenderat e rikonstruksionit të godinave si dhe me blerjen e automjeteve. (LajmeShqip.com)