Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 17:24

Uashington – Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka hedhur poshtë deklaratat se në pjesën veriore të Kosovës është e nevojshme ndihma humanitare. “Ne e kemi shqyrtuar këtë me Kombet e Bashkuara dhe me të tjerët. Ata nuk kanë raportuar për ndonjë krizë humanitare ose nevojë”, u tha Hillari Klinton, gazetarëve, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga në Uashington.

Këto komente, të publikuara në ëebsajtin e Departamentit Amerikan të Shtetit u bënë lidhur me tentativën e Rusisë për të dërguar ndihma për serbët në veri të Kosovës.

Rusia thotë se kamionët transportojnë ndihma humanitare për serbët në pjesën veriore të Kosovës.

Nga ana e saj presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se ndihmat humanitare që vijnë në Kosovë duhet të ndjekin rregullat e njohura ndërkombëtare dhe procedurat që rregullojnë shpërndarjen e ndihmave.

 “Ka rregulla dhe norma që duhet të respektohen. Janë edhe konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës për çështjet e shpërndarjes së ndihmave humanitare. Ne do të respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces”, tha presidentja Jahjaga.

Edhe Bashkimi Evropian ka kundërshtuar ekzistencën e një krize humanitare në veri të Kosovës. Megjithatë zëdhënësja e shefes së diplimacisë europiane, Maja Koçijançiç tha se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje, duke theksuar se konvoji duhet të ketë përcjelljen e duhur, për të cilën, sipas saj, është i mandatuar misioni evropian në Kosovë.

Por ndërkohë edhe në ditën e tretë, gjendja në terren mbetet e njëjtë. Në pikën kufitare një në Jarinjë qëndruan edhe gjatë natës tre kamionë. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, deklaroi për REL se as të enjten nuk ka pasur ndonjë lëvizje të re në terren.

Deri më tani, Moska ka kundërshtuar të respektojë përcjelljen e konvojëve nga policia e EULEX-it. Rusia ka kundërshtuar gjithashtu kalimin e ndihmave përmes pikës kufitare në Merdarë duke thënë se nuk do të respektojnë procedurat shtetërore të Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)