Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 13:30

Prishtinë – (E plotësuar në orën 10:45) Ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij për rastin “Kleçka”.

Gashi: Limaj do të dalë fitues

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se përballja me dy proceset gjyqësore në të njëjtën kohë nuk do të jetë e vështirë për mbrojtjen e cila, sipas tij, mezi pret që edhe sot për rastin “Kleçka” të përballet me aktakuzën e prokurorit për ta dëshmuar edhe një herë pafajësinë e Fatmir Limajt.

Gashi ka thënë se pala mbrojtëse është përgatitur për këtë proces. “Pala mbrojtëse është e përgatitur ta mbrojë me dinjitet Fatmir Limajn. Konsideroj se nuk do të jetë punë e vështirë sepse bazamenti i mbrojtjes është aktgjykimi lirues i majit të vitit të kaluar, i cili është mbledhur nga gjyqtarët e EULEX-it. Kështu që, me prova të njëjta rezultati nuk do të jetë i ndryshëm, por do të jetë prapë lirues”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë me dije se pala mbrojtëse është e njoftuar se ky proces do të zgjasë disa muaj. Ai ka thënë se nuk kanë ndonjë datë të saktë të përfundimit të këtij procesi për faktin se nuk do të dihet se si do të shtjellohen ngjarjet në gjykatë.

“Jemi të njoftuar se procesi do të zgjasë përafërsisht disa muaj, por këtu nuk ka asgjë definitive sepse varet prej ngjarjeve që do të shtjellohen në gjykatë”, është shprehur Gashi. Ai ka bërë me dije se pikënisja e palës mbrojtëse është gjykimi lirues për Fatmir Limajn.

“Mendojmë se mbrojtja nuk do ta ketë shumë vështirë ta dokumentojë prapë pafajësinë e Fatmir Limajt”, ka thënë Gashi.

Sot nis procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”

Ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, sot fillon procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”.

Bëhet e ditur se tashmë në Prishtinë ka mbërritur avokati i njohur për kosovarët, Karim Kan. Ai sot do ta mbrojë deputetin Fatmir Limaj.

Seanca e parë gjyqësore do të nisë në orën 10:00, në kinemanë ”ABC” në Prishtinë.

Gjykata e EULEX-it e ngarkon Limajn për krime lufte, të supozuara të kenë ndodhur në fshatin Kleçkë të Lipjanit.(LajmeShqip.com)