Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 23:50

Prishtinë (E plotësuar 24 nentor, 23:00)- (E plotësuar)Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorit Mauricio Salustro që deputeti Limaj dhe tre të tjerët të paraburgosen për 30 ditë.

Rrecaj: Kërkesa për paraburgim absurde

Avokati i deputetit Fatmir Limaj ka konsideruar se kërkesa e prokurorit të EULEX-it, Mauricio Salustro, për të paraburgosur Fatmir Limajn në një afat 30 ditësh është absurde.

“Prokurori Salustro mendon se i akuzuari për rastin Kleçka Fatmir Limaj mund të arratiset nga Kosova gjë që është absurde sepse Lima ju ka përgjigjur të gjitha ftesave që EULEX ka bërë në lidhje me këtë rast. Jemi vonuar deri me tani sepse para Limaj në pyetje janë marrë edhe tre të akuzuarit e tjerë”, tha Rrecaj.

 

Limaj përcillet për në Gjykatën Supreme

Eulex ka dërguar me makina të tij deputetin Fatmir Limaj në drejtim të Gjykatës Supreme dhe jo me makinën e tij personale.Për atë se çfarën ka biseduar për një orë brenda EULEX asgjë nuk dihet pasi që askush nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi, pavarësisht se qarkullojnë lajme të ndryshme nëpër portale interneti për këtë ngjarje.

Nis seanca e gjykimit për Naser Shalën

Në Gjykatën Supreme të Kosovës ka filluar seanca për të arrestuarin e parë në rastin “Kleçka”, Naser Shala.Aktualisht ai është duke u marrë në pyetje.Gjykata Supreme ka caktuar nga një seancë veç e veç për të gjithë të arrestuarit.

Avokatët këtë vendim e vlerësojnë si të paligjshëm.

Limaj paraqitet në EULEX pas orës 17

Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Limajt thotë për Express Online se tre të arrestuarit e tjerë Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi do të paraqiten para Gjykatës Supreme të Kosovës në ora 16:00.Ndërkaq, deputeti Limaj bashkë me të do të paraqitet në qendrën Alpha të EULEX-it në Fushë Kosovë pas orës 17:30.

Limaj nuk do të arrestohet, i ftuar nga Gjykata

Koordinatori për rastin Fatmir Limaj, Endrit Shala ka hedhur poshtë të gjitha informacionet që kanë rrjedhur për arrestimin e deputetit Fatmir Limaj gjatë ditës së shtunë.Ai thotë se aktualisht ai me Limajn janë duke shkuar në EULEX për të marrë një ftesë për gjykatë.“Nga aty do të nisemi drejt Gjykatës Supreme. Aty do të jemi në ora 17:30. Nuk ka të bëj asgjë me arrestimin”, tha ai.

Rrecaj: S’kam informacione zyrtare për arrestimin e Limajt

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj thotë se akoma nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth këtyre informacioneve që po qarkullojnë nëpër media.”Për të tjerët ma kanë konfirmuar jozyrtarisht, por jo edhe për klientin tim”, ka thënë ai.Sipas tij, ai nuk beson se klienti i tij është arrestuar pasi thotë se po të ndodhte kjo, familjarët e tij do ta informonin menjëherë

EULEX në aksion për arrestimin e Limajt?

EULEX është duke e zhvilluar një aksion arrestimesh në Kosovë.Sipas burimeve, thuhet që cak i aksionit të tyre është arrestimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Aksionin e kanë konfirmuar për Express edhe zyrtarët e EULEX.“Mund ta konfirmoj se EULEX është duke e zhvilluar një aksion për arrestim. Aktualisht nuk mund të japim detaje se për kë bëhet fjalë dhe në cilin lokacion po zhvillohet aksioni”, kanë thënë këta zyrtarë.

Ata sqarojnë se shumë shpejt do të dalin me një komunikatë rreth arrestimit.Po ashtu, gazeta serbe Blic thotë se ky aksion i EULEX ka për cak arrestimin e deputetit Limaj.

Sipas Blic, arrestimi i Limajt lidhet me krimet e luftës.

Ditë më parë, EULEX hapi rastin Kleçka ku u pranuan dëshmitë nga ditari i “Dëshmitarit X”, të të ndjerit Agim Zogaj. Po ashtu, Limaj akuzohet për krim të organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte Ministër i Transportit.Të arrestuar tashmë janë: Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi.(Express/LajmeShqip.com)