Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 15:26

Ekipit negociator serb gjatë bisedimeve me Prishtinën në Bruksel, po i krijon probleme të mëdha këshilltarja speciale për dialog e Përfaqësueses së Lartë të Be-së, Federica Mogherini – Ana Maria Bura. Kështu të paktën po shprehen në kabinetin e kryeministrit serbe, Aleksandar Vuçiq.

Kjo grua nga hija, kuadër i Ministrisë së punëve të jashtme të Greqisë, është duke ngadalësuar procesin e formimit të Asociacionit të komunave serbe, që për palën serbe është shumë i rëndësishëm, shkruan Novosti, transmeton lajmi.net.

Sipas kësaj të përditshme serbe, gjatë një darke pune e cila së fundmi është organizuar nga Mogherini në Bruksel për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq dhe atë të Kosovës, Isa Mustafa, Vuçiq kishte deklaruar hapur se Beogradi “është mjaft i zhgënjyer me angazhimin e Bura” në dialogun me Prishtinën. Por edhe në zyrën për Kosovën, jo zyrtarisht është thënë se ajo haptazi qëndron në anën e shqiptarëve, dhe se për këtë po ia ruajnë shpinën britanikët dhe gjermanët.

Sipas medieve serbe, Bura ndër të tjera ishte e angazhuar që në letër të vë pikat kyçe të draft kornizës së bisedimeve të BE-së për kapitullin e 35-të, që i referohet Kosovës. Ky dokument, të cilin Beogradi e ka quajtur të tmerrshëm dhe me të cilin në mënyrë indirekte kërkohet njohja e Kosovës, Bura në të kishte shkruar pikat kyçe duke u konsultuar drejtpërdrejt me Britaninë dhe Gjermaninë.

Në mënyrë të veçantë Londra dhe Berlini, insistojnë se i gjithë përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE të jetë drejtpërdrejt i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe kështu ky kusht është instaluar në disa vende në draft kornizën negociuese për “kapitullin e Kosovës”.

Pavarësisht numrit të pengesave, delegacioni serb është duke u përpjekur të ndryshojë këtë vendim të keq, dhe që situata të jetë shumë më e favorshme për Serbinë.

Ana Maria Bura ka punuar në zyrën e Përfaqësueses së Lartë të Be-së, derisa ende ishte në atë vend Katherin Ashton. Ajo ka studiuar në Athinë dhe me kombësi është shqiptare.