Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 15:40

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti sot zv/ministrin e Shëndetësisë të Republikës Popullore të Kinës, Cian Xiaohong dhe delegacionin që ai kryeson.

Zv/kryeministri vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Kinës.

Kreu i diplomacisë shqiptare rikonfirmoi vullnetin e Qeverisë Shqiptare për zgjerimin dhe thellimin më tej të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, edhe në atë të shëndetësisë.

Haxhinasto u shpreh se qeveria dhe MPJ do të përkrahin dhe inkurajojnë çdo projekt të palës kineze që do t’i shërbejë fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve tona shëndetësore, etj.

Nga ana e tij, zv/ministri i Shëndetësisë, Cian Xiaohong, në kuadrin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, në vitin 1971, vlerësoi dhe një herë kontributin e veçantë që ka dhënë për këtë Shqipëria, si dhe mbështetjen e mëtejshme të kandidaturave të saj në organet e Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e Qeverisë kineze për konkretizimin e të gjitha prioriteteve të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë me vendin tonë.