|
|
e Shtunë, 16 Qershor 2012 10:18 Prishtinë (PLOTESUAR 14:15)- KFOR-i njoftoi se ka përfunduar me sukses operacionin e nisur sot në mëngjes, duke e mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16, në afërsi të Bërnjakut, në veri të Kosovës. “Ky operacion është kryer në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke i parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thekson zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR në një komunikatë për media, pas mesditës.
Bëhet e ditur se përpjekjet e KFOR-it aktualisht janë të fokusuara në angazhimin në dialog me përfaqësuesit e banorëve lokalë, gjersa në të njëjtën kohë apelon që çdo protestë të mbetet e qetë dhe paqësore pa penguar lirinë e lëvizjes. “Mbyllja e rrugës alternative lejon trupat e KFOR-it të përqendrohen në kryerjen e detyrave thelbësore për misionin e tyre kryesor për të kontribuuar për një ambient të qetë dhe të sigurt. Për më tepër, KFOR-i lufton frikësimin e papranueshëm të banorëve lokalë, të cilëve iu është bërë presion financiar kundër shfrytëzimit të vendkalimit të autorizuar, përdorimi i të cilit tani ka arritur normalizimin e situatës për ta”, thekson komunikata.
Sipas mediave serbe, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur gjatë këtyre përpjekjeve për ta penguar KFOR-in. Plagët thuhet se janë të lehta dhe se ata janë lëshuar në shtëpi pas ndihmës së parë që kanë marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok.
Në anën tjetër, në komunikatën e KFOR-it thuhet se kjo forcë nuk mund t’i konfirmojë raportimet që flasin për lëndimet e njerëzve, në momentin kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër tre (3) plumba gome, në mënyrë që të mos i lënë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it. “Mirëpo, mund të deklarojmë që situata e përgjithshme mbetet e qetë”, vijon komunikata. (LajmeShqip.com)
************************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 13:15)- Aksioni i KFOR-it për të mbyllur fizikisht vendkalimet e paautorizuara në afërsi të vendkalimit kufitar Bërnjak, ka hasur në kundërshtimin e popullatës lokale serbe.
Strukturat paralele të pushtetit kanë lëshuar sirenat, duke ftuar popullatën të dalë në kundërshtim të aksionit të forcave paqeruajtëse. Sipas mediave serbe, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur gjatë përpjekjeve për ta penguar KFOR-in.
Plagët thuhet se janë të lehta dhe se ata janë lëshuar në shtëpi pas ndihmës së parë që kanë marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok. Forca e KFOR-it ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve dhe ka bërë kordonin e disa zonave për shkaqe sigurie.
“Ky aktivitet bëhet në mbështetje të operacioneve që kanë të bëjnë me mbylljen fizike të pikave të paautorizuara kufitare”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës të NATO-s. (LajmeShqip.com)
*************************************************
Prishtinë -KFOR-i nisi sot në mëngjes një operacion për të mbyllur vendkalimet e paautorizuara në afërsi të Bërnjakut. “Ky operacion është duke u kryer, në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. 
Që nga ora 05:30 e mëngjesit, KFOR-i ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve dhe ka bërë kordonin e disa zonave për shkaqe sigurie. Pas përfundimit të operacionit, KFOR-i njofton se pikat e kontrollit të automjeteve do të largohen dhe kordonet përreth zonave të siguruara do të hiqen. Në vazhdën e këtij operacioni deri tani nuk është raportuar asnjë incident.
Ky vendkalim i paautorizuar së shpejti do të jetë i pakalueshëm për shkak të barrierës fizike të vendosur nga KFOR-i, thuhet në komunikatë ku theksohet se operacioni është në pajtueshmëri të plotë me kornizën e misionit paqeruajtës të NATO-s. (LajmeShqip.com)