Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 18:46

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Byhler dhe shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milloje Miletiq, patën sot një takim të nivelit të lartë në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Implementim (JIC).

Sipas komunikatës për shtyp nga zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it, takimi u zhvillua në Kopaonik, ndërsa  të dy gjeneralët e vlerësuan bashkëpunimin në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë si shumë të mirë dhe tejet profesional, të bazuar në respekt të ndërsjellë.

Gjenerali Byhler e informoi gjeneralin Miletiq për arritjet e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vlerësimin e tij që kjo forcë do t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale shumë shpejt. Ai theksoi se kjo forcë nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt në Ballkan, por si forcë shumetnike, e cila iu shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai sygjeroi përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunimin rajonal të sigurisë.

Sipas komunikatës, takimi u mbajt në një atmosferë të bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë.

Gjenerali Miletiç dhe gjenerali Byhler u dakorduan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në mes të dy palëve dhe të rrisin komunikimin në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në nivel të duhur, thuhet mes të tjerash në komunkatë.

Bëhet e ditur se takimet e Komisionit të Përbashkët për Implementim në mes të KFOR-it dhe autoriteteve  ushtarake të Serbisë mbahen rregullisht që nga viti 1999, në nivele të ndryshme, në bazë të obligimeve të cilat dalin nga Marrëveshja e Kumanovës.