Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 19:01

Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga nesër do të ndryshojë ku do të hyjnë në fuqi tarifa të reja. Lista e produkteve që do të kenë përshkallëzimin e TVSH-së, janë kryesisht ushqimor, ku do të përfshihen qumështi, vajin, vezët duke përfshirë edhe energjinë elektrike. Nga kjo i bie se disa produkte ushqimore do të lirohen për deri në 17 cent.

Në një përgjigje për Indeksonline nga zyra e medieve në Ministrinë e Financave tregohen se cilat produkte do të përfshihen në përshkallëzim.

“Lista e produkteve me normë të reduktuar të TVSH-së përfshinë bukën dhe produktet e bukës, drithërat dhe produktet e përbëra nga drithërat, qumështin, vajin, vezët, furnizimin me ujë të pijshëm, me energji dhe shërbimet tjera komunale etj. Në të njëjtën kohë, është mbajtur norma 0% e TVSH-së në produktet bujqësore me qëllim të forcimit të këtij sektori dhe përmbushjes më të madhe të tregut të brendshëm me prodhime bujqësore vendore”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Indeksonline nga MF.

Ky ligj do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe qëllimi është përkrahja e ekonomisë së vendit.

“Meqenëse Ligji do hyjë në fuqi nga 1 Shtatori dhe ende nuk dihen efektet e këtij ndryshimi por qëllimi i ndryshimit të ligjit të TVSH-së ka qenë përkrahja e ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.

Ndër hapat më të rëndësishëm që reflektohet në ligjin e TVSH-së në reformën fiskale, përpos përshkallëzimit të TVSH-së dhe uljes së pragut, është lirimi nga TVSH-ja i linjave të prodhimit dhe makineritë që ndërlidhen me linjat e prodhimi, lëndës së parë si dhe lirimi i pajisjeve të Teknologjisë informative”.

Më tej thuhet se përshkallëzimi i normës së TVSH-së duke vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike, në masë prej 8 për qind, është bërë me qëllim të shpërndarjes më të barabartë të të ardhurave.

Kjo zyre sqaron se kjo mas e re e TVSH-së do t’i nxit bizneset dhe do të shërbejë si stimulues shtesë për ngritjen e kapaciteteve.

“Kjo masë pritet të përmirësoj likuiditetin e bizneseve prodhuese vendore, kjo e një rëndësie të veçantë duke marr parasysh koston e lartë dhe vështirësitë për ndërmarrjet në qasje në financa. Gjithashtu presim që këto masa, në periudhën afat-mesme, do të shërbejnë si një stimul shtesë në ngritje të investimeve private dhe rrjedhimisht prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për më shumë, këto masa në periudhën afat-gjatë pritet se do të mundësojnë rritjen graduale të aftësisë konkurruese të bizneseve kosovare edhe në tregjet ndërkombëtare”.

“Duke marrë për bazë shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullsisë shpenzon rreth 45% të të ardhurave të tyre në produkte ushqimore atëherë reduktimi i normës së TVSH-së në produkte bazike do të rrisë mirëqenien në vend, e në veçanti atë të qytetarëve me të ardhura më të ulëta”.

Po ashtu ndryshimi i TVSH-së do të jetë edhe për regjistrimin e TVSH-së, nga 50 mijë në 30 mijë euro ku kjo mas pritet të ndikojë në shumë biznese.

“Ndryshim tjetër i rëndësishëm në ligjin e TVSH është ulja e pragut për regjistrim në TVSH nga 50.000 euro në 30.000 euro. Kjo masë pritet të ndikoj në përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të bizneseve të cilat tashmë operojnë me një qarkullim në mes të këtij intervali. Duke i përfshirë një numër të madh si deklarues të TVSH-së me këtë masë synohet krijimi i një tregu më konkurrent në vend, zgjerimi i zinxhirit të TVSH-së dhe ofrimi i mundësive që këto biznese të rimbursojnë TVSH-në në inputet e tyre. Vlerësimet fillestare nga ndryshimi i ligjit të TVSH për këtë periudhe tregojnë për një inkasim të rreth 15 milion eurosh. Mirëpo, këto janë vetëm vlerësime dhe vlera mund të ndryshoj varësisht nga tendenca e importit të produkteve të cilat preken me këtë ligj. Lista e produkteve do të publikohet me udhëzimin administrativ i cili mbështetë këtë ligj”, sqaron zyra e medieve në MF për Indeksonline