Lajme Shqip Saturday, 24 October 2015 16:10

Pas shumë negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian që Kosova të nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizm Asoocim (MSA), negociata këto që filluan që nga viti 2013, këtij procesi gati po i vije fundi duke bërë që Kosova të jetë një hap para drejt anëtarësimit në BE.

Shtetet anëtare të Bashkimi Evropian më 22 tetor miratuan marrëveshjen për Stabilizim Asoocim ndërsa kanë pranuar se nënshkrimi i saj do të bëhet me 27 tetor. Ndërsa sot, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, pranoi se edhe Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje, raporton lajmi.net.

Kjo marrëveshje pritet t’i sjell Kosovës impakte pozitive dhe negative në aspektin ekonomik. E kjo pasi Doganës së Kosovës do t’i zvogëlohet një pjesë e të hyrave, ngase të gjitha produktet industriale dhe bujqësore që eksportohen nga BE, do të hynë në Kosovë pa asnjë tarifë doganore.

Njohësi i proceseve të Integrime Evropiane, Emrush Ujkani, pranoi për lajmi.net se Kosova padyshim që do të përfitojë nga kjo marrëveshje, por duke mos përjashtuar edhe vështirësitë që do t’i has gjatë këtij procesi.

Ai tha se ky është një lajm i mirë duke kujtuar se edhe ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, lë të kuptohet se edhe ato janë për një diçka të tillë.

“Është shumë e rëndësishme  që në aspektin politik Kosova përfundimisht arrin nënshkrimin e një marrëveshje kontrakutale me Bashkimin Evropian duke i vendosur raportet tona tash e tutje në obligimet dypalëshe  që është shumë e rëndësishme, një gjë që  ka munguar deri tash. Është lajm i mirë  pasi edhe vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën faktikisht nuk e dimë epilogun se çfarë qëndrimi kanë pas në votim por ajo çka është shumë e rëndësishme është se miratimi i kësaj marrëveshje nga BE-ja dmth duhet të jap mendimin apo të kujtojmë se edhe ato janë për një diçka të tillë”, tha Ujkani.

Ai theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Kosovës i mbetet që të punojë shumë drejt rrugës së BE-së pasi, siç vlerëson ai, sa më shumë që punohet aq më tepër përmbushen detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje.

“Tashmë nuk është çështja me kërkesat  e raportit të progresit që jemi mësuar t’i dëgjojmë  çdo vit, por tash kemi  obligim kontraktual ku varet shumë ecja e Kosovës përpara  drejt BE-së dhe varet shumë puna jonë konkrete dhe sado që të punojmë dhe ma tepër që të përmbushim detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje atëherë sigurisht që edhe BE-ja do të ketë edhe vullnetin e mjaftueshëm që ta shtyjë përpara agjendën tonë”, pohoi Ujkani.

Ndërsa pranoi se me MSA-në, padyshim që do të shfaqen vështirësitë në aspektin ekonomik, pasi siç thotë ai ekonomia e Kosovës ende nuk është e konkurueshme.

“Ekonomia jonë nuk është e konkurureshme pasi i mungon aspekti i konkurrueshmërisë dhe duke u nisur nga fakti që marrëveshja  për Stabilizim Asoocim e ka për tendencë në një far mënyre liberalizimin e tregut ose hapjen e tregut të Kosovës me tregje të tjera, mendoj që në këtë pikëvështrim ekonomia jonë në disa aspekte vazhdon të çalojë dhe nuk  është  sa duhet konkurruese jo vetëm në aspekt me BE-në por edhe në vet tregun e rajonit”, tha ai.

Kurse sa i përket heqjes nga dogana të produkteve të shteteve të BE-së që hyjnë në Kosovë, Ujkani theksoi se do të vërehen disa tendenca të dobësimit të ekonomisë së Kosovës, mirëpo siç tha ai, kjo do të jetë afatshkurte, pasi në aspektin afatgjatë Kosova do të ketë benefite drejt rrugës së BE-së.

“Realisht ka tendenca që të liberalizohet tregu dhe tregu ynë duhet të hapet me atë të BE-së,nga ky këndvështrim është shumë e natyrshme që të pritet se edhe produktet nga këto vende të jenë të liruara nga sistemi i doganave. Fillimisht do të vërehen disa tendenca të dobësimit pikërisht ngaqë ekonomia jonë nuk është konkurruese dhe nuk e ka arritur atë aspektin e konkurrimit dhe kjo ndoshta mund të jetë ajo që mund ta dobësojë në rrethana fillestare ekonominë e Kosovës por në aspektin afatgjatë kjo do të ketë benefite më afatgjate drejt ecjes përpara në këtë proces që është edhe finalizmi duke u bërë edhe anëtare e BE-së”, përfundon njohësi i Integrimeve Evropiane, Emrush Ujkani.

Përndryshe, MSA është një proces, që rezulton në marrëdhënie më të mira tregtare, por që fokusohet në reformimin jo vetëm të fushave që do mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin, por edhe fushat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme./lajmi.net.