Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 15:57

Prishtinë – Udhëheqës të lartë të shtetit mbajtën takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të kryesuar nga presidentja Atifete Jahjaga.

Axhenda evropiane e Republikës së Kosovës dhe procesi i liberalizimit të vizave, ishte temë e takimit të dytë të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, në të cilin presidentja, Atifete Jahjaga kërkoi angazhimin e të gjithë bartësve të institucioneve dhe subjekteve politike për përmbushjen me sukses të kësaj axhende.

“Axhenda evropiane e Republikës së Kosovës duhet të avancohet dhe të shndërrohet në një plan të punës për të gjithë shoqërinë e Kosovës. Ne po bëjmë progres në këtë drejtim. Unë ju ftoj që përmes diskutimeve dhe propozimeve konkrete të japim kontribut në këtë temë”, u shpreh Jahjaga.

Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se ky proces nuk është i lehtë, prandaj kërkoi që të vazhdohet kursi i bashkëpunimit mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë. Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi foli për punën e legjislativit, duke theksuar se Kuvendi po kryen obligimet që i ka në këtë proces.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa shprehu mbështetjen e LDK-së për të gjitha iniciativat dhe aktivitetet që shërbejnë që Kosova të ecë si duhet në agjendën evropiane. Në takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i partisë tjetër opozitare, AAK, por jo edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Drejtuesit e institucioneve të Kosovës përshëndeten vendimin e djeshëm të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, duke e vlerësuar këtë si një sukses të përbashkët të faktorit politik vendor dhe ndërkombëtar. Ky vendim, sipas tyre, hap një etapë të re dhe është një dëshmi që Kosova është partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare dhe se Kosova si shtet ka arritur fazën e pjekurisë së mjaftueshme institucionale. (LajmeShqip.com)