Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 13:11

Tetovë – Të hënën nga Tetova është dhënë alarmi për çështjen e pazgjidhur të çamëve dhe i është apeluar për së dyti herë Shkupit e Prishtinës që të ngrisin zërin kundër gjenocidit grek.

Shoqata për Mbrojtjen dhe Afirmimin e identitetit kombëtar “Illyricum Libertas”, me seli në Tetovë, përmes një deklarate për media, me rastin e 67-vjetorit të masakrës greke ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, rikujtoi të hënën popullin shqiptar për këtë ditë tragjike të historisë kombëtare.

”Vërejmë me keqardhje të plotë, që apeli popullor drejtuar parlamenteve respektivë të Maqedonisë dhe Kosovës për miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin grek, nuk u bë realitet as në këtë vit. Kërkojmë nga këto dy organe përfaqësuese që të miratojnë rezolutën në fjalë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në këtë deklaratë.

Po ashtu, shoqata “Illyricum Libertas”, kërkon nga qeveria greke që në kuadër të respektimit të konventave ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është vetë ajo, “të lejojë qytetarët shqiptarë me origjinë nga krahina e Çamërisë që t’i vizitojnë varret dhe pronat e të parëve të tyre dhe të ndalë praktikën antidemokratike të moslejimit të kalimit të kufirit grek për këtë kategori të qytetarëve shqiptarë”.

Shoqata “Illyricum Libertas” ka apeluar deri te faktorët ndërkombëtarë që të ndërmjetësojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe humane për këtë çështje madhore në Ballkan dhe më gjerë. (LajmeShqip.com)