Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 11:00

Tiranë-Keqtrajtimi dhe dhuna fizike e policisë së shtetit në Shqipëri ndaj të ndaluarve në dhomat e paraburgimit ose në momentin e arrrestimit përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Çdo vit Komiteti i Parandalimit të Torturës, strukturë kjo e Këshillit të Europës, monitoron në vendet anëtare të këtij Këshillli, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave në konflikt me ligjin. 

Fjala është për të ndaluarit në dhomat e paraburgimit dhe ata që vuajnë dënimin në burg. Raportet e këtij Komiteti mbështeten në informacione te drejtëpërdrejta, të vjela gjatë këtyre monitoriomeve. Në Raportin e 2012-s të këtij Komiteti shkruhet se “Në Shqipëri, u konstatuan raste të keqtrajtimit fizik dhe të dhunës në dhomat e paraburgimit në disa komisariate të policisë ndaj të ndaluarve si edhe në momentin e arrrestimit”.

Adrian Kati, Drejtor Ekzekutiv i Qëndrës shqiptare për Rehabilitimin e viktimave të Dhunës dhe Torturës, një strukturë kjo e shoqërisë civile që monitoron institucionet  që përdorin forcën në dhomat e paraburgimit apo në burg,  thotë për programin shqip të DË se të tilla raste dhune dhe keqtrajtimi fizik janë shpesh të padokumentura por lënë gjurmë tek viktimat.

Sipas tij shkaku i përdorimit të dhunës policore ne nuk është vetëm një por janë disa: mungesa e profesionalizmit në policinë e shtetit, e gërshetuar edhe me fenomene sociale dhe ekonomike të një shoqërie në tranzicion që kanë ndikuar për të errësuar arritjet e deritanishme në ngritjen e një policie qe duhet te funksionoje si një institucion demokratik.

“Policia e shtetit, si një institucion demokratik, i ngritur edhe me asistencën e BE dhe të faktorit ndërkombëtar  nuk funksionon në mënyrë demokratike dhe nuk respekton ligjet ne fuqi sepse në rradhët e saj ka ende të individë me mentalitet dhe mendje postkomuniste edhe tani 20 vjet pas rënies së komunizmit” thotë Adrian Kati.

Qëndra shqiptare për Rehabilitimin e viktimave të Dhunës dhe Torturës ka Marreveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në bazë të së cilës kjo qëndër monitoron, trajnon stafin dhe ngre kapacitetet për parandalimin e ushtrimit te dhunës fizike dhe torturave. Sipas drejtuesit të saj, Adrian Katit, monitorimet tregojnë se dhuna fizike ndaj të ndaluarve në dhomat e paraburgimit apo në momentin e arrestimit shoqërohet me dhunë psikologjike.

“Këto dy forma të dhunës, të gërshetuara me faktorin kohë dhe me pozicionin e policit sjellin, në fund të fundit, torturën. Bëhet fjalë për të gjitha vendet e privimit të lirisë” thotë Z. Kati Që dhuna fizike e gërshëtuar me atë psikologjikë nga policia ndaj të ndalurve dhe të burgosurve të parandalohet parakushti kryesor është dënimi i autorëve të saj.

“Por në Shqipëri është kultivuar një klimë e pandëshkueshmërisë. Duhet të jetë e qartë, shumë e qartë për këdo: po shkele të drejtat e njeriut do të ndëshkohesh sipas ligjeve në fuqi”, thekson Z. Kati.

Respektimi i të drejtave themelore të të ndaluarve nga policia dhe atyre që vuajnë dënimet, parandalimi i dhunës dhe torturave ndaj tyre është tregues i një demokracie funksionale për të gjithë, thekson Adrian Kati. “Ka ardhur koha që nëse kërkojmë demokraci për të gjithë, nëse kërkojmë qe institucionet shtetërore të jenë në shërbim të të gjithëve, nëse kërkojmë të ndërtojmë një demokraci funksionale atëhere të gjithë ata police apo punonjës të ruajtjes së rendit, duhet të ndëshkohen pa mëdyshje, ne baze të drejtës ndërkombëtare, legjislacionit dhe Kushtetutës së Shqipërisë”, thotë Adrian Kati. (DW)