Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 16:08

Tiranë – Komiteti i Monitorimit në Këshillin e Europës ka hartuar një draft-rezolutë për Shqipërinë, ku bën thirrje për dialog politik dhe dhënie fund bojkotit të opozitës në Kuvend.

“Zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale, të mbajtura më 8 maj 2011 nxorën në pah natyrën e brishtë të demokracisë dhe polarizimin e vazhdueshëm midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Bashkëraportuesit kanë ndërmend ta vizitojnë vendin menjëherë pasi të mbyllet rezultati i zgjedhjeve”, thuhet në draft-rezolutën e publikuar në faqen zyrtare të KiE.

Ky raport i përgatitur nga Komiteti i Monitorimit flet në mënyrë të detajuar për situatën në Shqipëri, ku krahas thirrjeve është i gatshëm të japë asistencë për reformën elektorale në veçanti.

“Partia Socialiste të ndërpresë bojkotin e saj në Parlament dhe të hyjë në dialog konstruktiv me forcat e tjera politike”, thuhet në raport, i cili kërkon më tej përmirësimin e ligjeve në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe listat e kandidatëve.

“Kuvendi i Shqipërisë për të përmirësuar procesin zgjedhor, duhet të përmirësojë aftësitë e administratës zgjedhore për sa i përket regjistrit zgjedhor”, thuhet më tej në draft-rezolutën e KiE.

Bashkëraportuesit e Këshillit të Europës për Shqipërinë pritet të vizitojnë Tiranën për situatën e krijuar pas zgjedhjeve lokale të 8 majit.