Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 16:47

Gazeta greke “Kathimerini” boton një shkrim të gazetarit Stavros Tzimas, njohës i çështjeve të Ballkanit, që lidhet me mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Prizren para disa ditësh. 

Shkrimi analizon faktin që mbledhja u zhvillua pikërisht në një qytet me histori dhe simbolikë të fuqishme për shqiptarët. Pasi bën një historik të shkurtër për lidhjen e Prizrenit, ku në vitin 1878 shqiptarët deklaruan autonominë nga turqit, gazetari thotë se “sot, 136 vjet më vonë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës takohen në të njëjtin qytet historik për Shqipërinë, Kosovën e rajonin”. 

Duke i quajtur popujt shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës “vëllezërit e papërmbushur”, gazetari thekson se “përse”-në e takimit të dy qeverive në Prizren, nuk e spjegoi as Thaçi dhe as Rama, edhe pse ky i fundit për të shmangur konotacionet apo interpretimet e mundshme, foli për paprekshmërinë e kufijve. 

“Nuk është e vështirë për të kuptuar një iniciativë të tillë, kur termi i papërmendshëm “Shqipëri e madhe” pretendon të gjejë vend në axhendën politike të partive dhe qeverive shqiptare. Tirana dhe Prishtina asnjëherë nuk kanë pushuar së besuari, se edhe pas pavarësisë së Kosovës, ka çështje kombëtare të pazgjidhura”, shkruan Tzimas, i cili kujton se një takim i dytë i ngjashëm do të zhvillohet në Vlorë, gjithashtu një qytet-simbol i fuqishëm kombëtar, ku u ngrit flamuri i pavarësisë së Shqipërisë. 

“Takimi nisi me marshe dhe melodi kombëtare sikur të ishte luftë, ndërsa leximi i linjave të deklaratave të udhëheqësve shqiptarë të bën të kuptosh se këta të fundit nuk kanë mësuar asgjë nga historia e keqe e popujve “superiorë” (mikromegalomanë) të Ballkanit”, përfundon shkrimi i “Kathimerini”. /ballkanweb/