Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 15:10

Tiranë – Në kryeqytetet europiane, por jo vetëm, pikat e tregëtimit të karburanteve e zhvillojnë aktivitetin e tyre në anët periferike të qytetit, larg zonave të banimit, ndërsa në Tiranë prej vitesh këto biznese gjenden rrëzë pallateve, mes lagjeve të populluara dhe në disa raste pranë shkollave.

Për vite me radhë pushteti vendor lejoi ndërtimin e karburanteve vend e pavend, duke mos marrë parasysh rreziqet mjedisore dhe shëndetësore për qytetin e qytetarët.

Rreziku i parë, thekson eksperti i çështjeve të mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu, është ai i zjarrit. Pikat e karburantit shpërndajnë tre produkte bazë: dizelin (naftë), benzinën dhe gazin e lëngët.

“Në mënyrë të paevitushme, në kohën e mbushjeve të serbatorëve të makinës, ka çlirime avujsh në rastin e benzinave, çlirime avujsh hidrokarburesh që përmbajnë kryesisht benzen, ksilen, toluene, etil benzeni, etj. Që të gjithë janë shumë fluror që me rritjen e temperaturës së ambinetit, kanë një shkallë avullimi më të lartë. Nëse përmbajta e tyre në ajrin e mikroambinetit aty, arrin në një kufi të caktuar përzierje, shkëndija më e vogël jep eksplozion”, shpjegon Deliu.

Prandaj nuk lejohet që pikat e karburanteve të punojnë ose të furnizojnë me karburant një automjet të ndezur, pasi motori mund të japi shkëndijë në pjesën elektrike të makinës; nuk duhet lejuar pirja e cigares. Madje në pikat e karburanteve në vendet e zhvilluara nuk po lejohet më dhe përdorimi i telefonit celularë, pasi një shkëndijë mund të shkaktojë zjarre siç ka ndodhur para disa kohëve në Kaliforni dhe Londër.

Rreziku i dëmtimeve nga një zjarr aksidental që vjen nga një pikë e tregëtimit të karburantit pranë zonave të banuara, është shumë më i madh se sa në zona jashtë qytetit.

Ndikimet e dëmshme nga të jetuarit afër me karburantet, janë edhe ato shëndetësore. “Ky ndikim lidhet  me shkarkime në ajër të avujve të hidrokarbureve. Karburantet avullojnë më shumë në verë dhe kanë përmbajtje gazesh hidrokarburesh që ndihen me erë më të larta se sa në dimër. Të gjitha këto, në një zonë, në një perimetër të caktuar rreth e qark karburantit, ndikojnë në shëndetin e njerëzve që mund të kenë banesat afër. Këtu komponimet kryesore lidhen me përbërjen që kanë karburantet dhe kryesisht benzeni, është mjaft i rrezikshëm për shëndetin, është kancerogjen. Prandaj dhe ky është një argument tjetër që i shtohet argumentave që kufizojnë në maksimum prezencën e karburanteve brenda qyteteve”, pohoi Deliu.

Sipas tij, në rast se do të duhet të ndërtohet ndonjë pikë karburanti, duhet patur parasysh raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe raporti i vlerësimit të sigurimit teknik të karburantit, i cili duhet të ketë standarde shumë të larta.