Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 19:23

Tiranë – Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, ka deklaruar një ditë më parë, gjatë një takimi me gazetarët në Uashington, se “Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të angazhuara dhe aktive në Ballkanin Perëndimor dhe po punojmë më ngushtë me partnerët në Bashkimin Evropian për të ndihmuar vendet e rajonit të realizojnë qëllimet e tyre për t’u anëtarësuar në BE dhe shumë prej tyre edhe  në NATO”.

Sipas lajmit të publikuar në faqen e Zërit të Amerikës, bëhet e ditur se diplomati amerikan vlerësoi lart popullin shqiptar për pjesëmarrjen masive dhe sjelljen dinjitoze në zgjedhjet vendore të 8 majit dhe mijëra vëzhguesit e pavarur vendas që ndoqën zgjedhjet.

“Në të gjitha bashkitë, me përjashtim të Tiranës, procesi shkoi mirë. Për Tiranën gara ishte e ngushtë dhe manovrimet kanë qënë intensive”, u shpreh Kantrimen.

Më tej, zyrtari i lartë amerikan shtoi se “ne kemi shprehur dyshimet tona për bazën ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor.  Por për ne është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar, të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin dhunën. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin, deri sa të dëgjojmë se çfarë do të thotë Kolegji Zgjedhor”.

Ai shprehu besimin që pas këtyre zgjedhjeve në Shqipëri të shihet një komunikim më i mirë, me respekt të ndërsjellë, një pjesëmarrje më të mirë nga të gjitha partitë në të gjitha organet qeverisëse.

“Kur njerëzit marrin pjesë në një numër kaq të madh në zgjedhje, është pikërisht kjo që ata kërkojnë”, tha Kantrimen.

Lidhur me mundësinë e paraqitjes së çështjes në Komisionin e Venecias, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë tha se nuk ka asgjë të keqe për t’iu drejtuar atij, pasi shumë vende e kanë bërë këtë, por ky është një vendim që u përket palëve në Shqipëri.

I pyetur nga Zëri i Amerikës për përgjegjësinë e politikës shqiptare për zgjidhjen e një sërë problemesh për vendin, si çështja e pronësisë, reforma e gjyqësorit, “rrjedhja e trurit”, e të tjera, ndërsa përplasjet për rezultatet e zgjedhjeve, duke filluar që nga ato parlamentare të qershorit 2009 janë tejzgjatur, Kantrimen, tha se “në interesin e Shqipërisë sot është që t’u demonstrohet, veçanërisht vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha demokracitë e tjera që kërkojnë të hynë në Bashkimin Evropian”.

Kantrimen theksoi se “kjo është e rëndësishme, krahas gjithë kërkesave që ka përvijuar Bashkimi Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe për këtë duhet më shumë bashkëpunim mes partive.  Në shumë aspekte,  Shqipëria ka ecur mirë, si  në ekonomi, në përpjekjet për reforma, por është politika ajo që dëmton imazhin e saj në Bruksel dhe gjetkë”.

“Duhet gjetur një mënyrë për ta ndryshuar këtë imazh, jo me fushata të marrëdhënieve publike, por me zgjidhje të arsyeshme dhe komunikim me respekt”, tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.