Lajme Shqip Wednesday, 30 October 2013 23:56

Nuk ndalet hemorragjia brenda të djathtës. Edhe Gjovalin Kadeli ka deklaruar largimin e tij nga Partia Demokratike. Ai e bëri të ditur lajmin në një intervistë për Ora News.

 

Kadeli tha se largohet nga PD për t’u bashkuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Do të largohem nga Partia Demokratike për të qenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kam kontaktuar me zotin Meta që përpara zgjedhjeve parlamentare dhe prisja të isha pjesë e ekipeve të tij. Për disa arsye, zoti Meta u vonua në përgjigjen e tij dhe në atë kohë u paraqit nevoja e votës në parlament për anëtarin e Kolegjit Zgjedhor dhe mbajtjen e qeverisë si detyrim që ishte për zgjedhësit shqiptarë. Zgjedhjet u realizuan me përpikmëri të lartë të lira e të ndershme, edhe si rezultat i votës së time dhe dy kolegëve të tij”, u shpreh Kadeli.

 

Ai tha se marrëdhënia e tij me Partinë Demokratike ka qenë një marrëdhënie me zotin Sali Berisha dhe e ka marrë mandatin për shkak të burrërisë së Berishës.

“Kjo burrëri bëri që të mos ishim parazit me mandat të dhuruar por ishim si gjithë kandidatët e tjerë dhe në Lezhë kjo u konfirmua me praninë e militantëve të PS që mbështetën PD-në”, u shpreh Kadelli.