Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 09:00

Prishtinë – Një kamion frigorifer i firmës “Polet” gjendet në një vend në afërsi të Borit. Ekipi i gazetës “Tribuna”, gjatë qëndrimit në Serbi, ka parë nga afër dhe e ka fotografuar kamionin frigorifer që, sipas disa dëshmitarëve, ka bartur trupa të shqiptarëve të vrarë drejt shkritores së Borit. Kamioni që është në gjendje funksionale, por nuk përdoret dhe mbahet larg vëmendjes së opinionit që nga koha e luftës, nuk ka ndryshuar asgjë, pos që nga brenda është lyer me ngjyrë të kaltër.

“Unë garantoj se ky kamion ka bartur trupa”, i ka thënë gazetës një dëshmitar në kushte anonimiteti.
“Ne e kemi blerë këtë pas luftës nga një shofer i Borit që e pranon se e ka kryer atë punë gjatë luftës. Shoferi nuk dëshiron të flasë për këtë çështje, pasi që djali i tij ka qenë ushtar dhe është vrarë në Kosovë”, i ka thënë gazetës i njëjti dëshmitar.
Gazeta ka mësuar identitetin e shoferit që jeton në Bor, por ai nuk pranon të dëshmojë për fshehjen e krimit, ngase konsideron se i ka shërbyer vendit. Ekzistojnë disa dëshmitarë që e dinë historinë e këtij shoferi që mburret më veprimin, sepse është hakmarrë për vrasjen e djalit.
Gazeta “Tribuna” në numrin e kaluar e ka publikuar dëshminë rrëqethëse të Ivan Pajicit, qytetarit serb nga Bori, i cili ka pranuar të flasë publikisht për atë që ka parë bashkë me babanë e tij Drago Pajic. Ai, veç tjerash, ka thënë se ka parë zbrazjen e trupave të civilëve shqiptarë nga një kamion frigorifer në shkritoren e bakrit në Bor.
Hulumtimi i gazetës hedh dritë mbi përpjekjen që kishte ndodhur gjatë bombardimeve të NATO-s që të zhduken trupat e të vrarëve në Kosovë, në përpjekje për ta fshehur krimin. Rreth njëmijë e pesëqind persona rezultojnë ende të zhdukur që nga lufta, pavarësisht identifikimit dhe gjetjes së disa varrezave masive edhe në Serbi.
Disa persona përgjegjës, përfshirë ish-udhëheqësin e ish-Jugosllavisë, Slobodan Miloshevic, janë akuzuar për krime lufte në Kosovë, por njeriu që u vlerësua si “kasapi i Ballkanit”, ka ndërruar jeta në qelinë e Tribunalit të Hagës për krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, pa pasur një vendim gjykate.
Të gjitha akuzat tjera kanë qenë të drejtuara ndaj individëve, ndërkaq ka munguar një akuzë që do të dëshmonte se krimet në Kosovë kanë qenë të organizuara nga aparati shtetëror.