Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 08:01

6 vjet më parë, familja Bytyçi lidhi krushqi me familjen Berisha. Kur martesat lidhen, askush nuk e paramendon fundin tragjik të tyre. Nga martesa e Nebihut me Zejnepen lindën tri vajza dhe një djalë, por lindën edhe shumë konflikte e probleme. Mungesa e babait apo vëllait për t’i dalë në mbrojtje Zejnepes, e bëri atë të pafuqishme ndaj sulmeve dhe keqtrajtimeve të vazhdueshme të bashkëshortit.

Të afërmit, e këtu përfshirë edhe organet e ndjekjes, nuk ndërmorën masa për ta parandaluar Nebihun, i cili siç thuhet në raportet policore natën e 23 tetorit, në gjendje të dehur e goditi 10 herë me thikë gruan e tij, raporton KTV.

Duke e mbrojtur nënën nga sulmi i pashpirt i babait, lëndime mori edhe vajza e madhe e çiftit.

Për Zejnepen, plagët ishin vdekjeprurëse. Ajo vdiq në shtëpinë ku kishte rritur katër fëmijë. Motra Hysnia kujton momentet e fundit me të motrën. Ishte ndarë nga ajo me frikën se diçka e keqe do të ndodhte. Kishte dëgjuar edhe kërcënime dhe paralajmërimet për vrasje. Por, kërcënimet ishin të zakonshme…

Historia e dhunës në familjen Berisha kishte nisur qysh në vitit 2002, kur Zejnepja sulmohet fizikisht nga bashkëshorti i saj. Për vite me radhë ajo u sha, u godit dhe u sulmua, madje edhe me thikë nga Nebihu. Të afërmit e Zejnepes ishin në dijeni se nëna e katër fëmijëve po keqtrajtohej nga burri.

Natën kritike Nebihu nuk u mor fare në pyetje për shkak se rezultoi të kishte qenë i dehur. Në dosjen e Policisë, ai del se kishte precedentë të mëhershëm penal në raste të dhunës në familje.

Për raportimin e dhunës në vitin 2002, Nebih Berisha u dënua me vetëm gjashtë muaj me kusht.Gjashtë vjet më vonë Policia ishte marrë sërish me Nebihun. Pas një kontrolli atij iu gjet një armë pa leje. Edhe në këtë rast dënimi me burg nuk u aplikua. Nebihu u dënua vetëm me gjobë.

Është e çuditshme se në dosjet e Policisë nuk janë të regjistruara të gjitha lëndët e dhunës në familjen Berisha. Familjarët e Zejnepes thonë se ajo disa herë ishte tërhequr nga ndjekja, me shpresën se një ditë do bëhej mirë. Një paralajmërim i asaj që ndodhi mbrëmjen e 23 tetorit, kishte ndodhur në vitin 2012. U raportua se 39-vjeçarja tentoi të kryejë vetëvrasje dhe shtytës, sipas Policisë, besohet të ketë qenë burri i dhunshëm. Por, provat nuk mjaftuan, prokuroria nuk mundi ta ndjekë penalisht Nebihun.

E, për atë se çfarë i ndodhi tërë këto vite Zejnepes, nuk kanë pranuar të flasin familja Berisha. Ndërsa, për shkak se ndodhet i arrestuar, kontakti me Nebihun ishte i pamundur.

Në Suharekë nxënësit dhe mësuesit vendosën të dalin kundër mosveprimit institucional në këto raste. Të dhënat e Policisë tregojnë për një rritje të theksuar të dhunës në familje… Njohësit e ligjit thonë se dhuna në familje vazhdon të trajtohet nga organet e ndjekjes si çështje private mes burrit dhe gruas. E kjo është konvertuar edhe në vetëdijen e policisë, prokurorisë dhe gjykatës, duke bërë që sistemi i drejtësisë të dështojë në këtë pikë.

Vrasja e Zejnepes, e cila po konsiderohet i njëjtë si rasti i vrasjes së Diana Kastratit, vrasja e të cilës tashmë është konstatuar si një dështim i organeve shtetërore për të ofruar mbrojtje për viktimat e dhunë në familje. Por, për shumë kë, vrasja e Dianës duket se nuk i ka treguar efektet e veta

KTV ka kërkuar sqarime edhe Inspektorati Policor i Kosovës nëse do të hetojë mënyrën se si është trajtuar rasti i Zejnepe Bytyçit. Ky institucion, i cili mbikëqyr punën e pjesëtarëve të Policisë, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në pyetjet e parashtruara nga KTV.

Derisa trupi i Zejnepes pushon i qetë në varrezat e qytetit të Therandës, Nebih Berishës gjykata i ka caktuar një paraburgim prej 30 ditësh, e katër fëmijët e çiftit do të mbesin nën kujdesin e familjarëve të babait dhe nënës.