Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 08:06

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur ta zvogëlojë numrin e deputetëve kundërshtues të Gjykatës Speciale

Gazeta merr vesh se nga 10 deputetët e PDK-së që nuk i thanë po Speciales, të paktën shtatë prej tyre mund të ndryshojnë qëndrim pas “thirrjes” së fundit që u ka bërë shefi i partisë. Ky është numër i mjaftueshëm për t’i bërë 80 votat e mjaftueshme për t’u miratuar amendamenti kushtetues, shkruan Koha Ditore.

Kategorik kundër Speciales vazhdojnë të mbesin Nait Hasani, Ganimete Musliu e Fadil Demaku. Sipas burimeve të gazetës javën e ardhshme do të dalë në Kuvend edhe një herë votimi i amendamenteve kushtetuese. Paraprakisht qeveria pritet t’i riprocedojë amendamentit në Kuvend gjatë kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.

Thaçi ka mbledhur të mërkurën deputetët e partisë së vet, ku merret vesh se përfundimisht ka arritur t’i bindë kundërshtarët e Gjykatës Speciale se ajo duhet të votohet. Pas më shumë se një orë qëndrimi në mbledhje, Thaçi ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media, por iu shmang pyetjeve. Ai nuk ka treguar nëse ka arritur t’i sigurojë numrat. Vetëm ka paralajmëruar se Kuvendi nuk duhet të shkojë në pushim pa u votuar Gjykata Speciale.