Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 08:27

Shkodër – Në fshatin Kuç të Shkodrës dje janë gjetur eshtrat e Zef Nikë Martinit, i pushkatuar nga sistemi komunist më 11 gusht 1983.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, gjetja e eshtrave të viktimës u bë nga Task-Forca për Gjetjen dhe Identifikimin e Eshtrave të Viktimave të Komunizmit, në bashkëpunim të ngushtë me familjarët e të pushkatuarit. Eshtrat e të ndjerit u transferuan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për identifikimin me anë të ADN-së.

Task-Forca për Gjetjen dhe Identifikimin e eshtrave të viktimave të Komunizmit u krijua me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 2010 dhe kryesohet nga Ministria e Brendshme.

Disa javë më parë, në saje të punës së Task-Forcës, u bë e mundur gjetja në të njëjtin vend e eshtrave të dy të pushkatuarve të tjerë, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja.

Përgjatë një viti që nga krijimi i saj, Task-Forca ka hulumtuar intensivisht në arkiva të ndryshme të institucioneve shqiptare dhe ka bërë të mundur marrjen e informacionit të nevojshëm për vendndodhjen e eshtrave të disa prej të ekzekutuarve nga sistemi komunist.  Gërmimet do të vazhdojnë në javët dhe muajt në vijim edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë.

Duke qenë se informacioni për vendndodhjen e vendeve të tilla të ekzekutimit mungon në masë të madhe nëpër arshiva, Task-Forca u bën gjithashtu thirrje familjarëve dhe personave që kanë dijeni për vende të ngjashme ekzekutimi, që të ndihmojnë me informacione në mënyrë që eshtrat e viktimave të komunizmit të mund t’u kthehen familjarëve të tyre.