Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 09:28

Abu Dabi- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i konsideroi ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të Lëvizjes “Vetëvendosje” për bllokimin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë, një pamje jo të mirë dhe reale për Kosovën.

Në një deklaratë për shtyp Presidentja Jahjaga tha se “një situatë e tillë, që po ndodh në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese të vendit, rrezikon ta kthejë Kosovën prapa, në përpjekjen e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike”.

 ”Unë si Presidente e vendit e kam shprehur qëndrimin, që përpara demonstratave, se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale dhe se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore. Veprimi institucional është mënyra e vetme dhe më e mirë për adresimin dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve”, thekson Presidentja Jahjaga në këtë deklaratë të shpërndarë dje në mbrëmje nga zyra e saj e shtypit.

Ajo kërkon që të gjitha institucionet, të gjitha subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të respektojnë dhe të  zbatojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit, pasi “vetëm në këtë mënyrë  arrijmë sundimin e rendit dhe të ligjit, duke qenë një vend demokratik që në rrugën e integrimeve euroatlantike zbaton standardet e larta të lirive dhe të drejtave të njeriut”.

Presidentja u bën thirrje “të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të kontribuojnë në demokratizimin e shoqërisë tonë, të respektojnë rendin dhe ligjin dhe të marrin pjesë aktivisht në përmbushjen e standardeve të cilat e sigurojnë rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik”.

Në këtë kontekst Presidentja Jahjaga i bën thirrje edhe Lëvizjes “Vetëvendosje” që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave. (LajmeShqip.com)