Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 12:36

Prishtinë-Paralajmërimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë  ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve, thekson Presidenteja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Në një deklaratë të dhënë për protestën e paralajmëruar për nesër të Lëvizjes Vetëvendosje, presidentja Jahjaga shton se “e drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës.

Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”.

Si Presidente e Republikës së Kosovës, shprehet Jahjaga, angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për adresimin e të gjitha çështjeve brenda institucioneve dhe në zbatim të plotë të ligjit.

“Përcaktimin e ‘Vetëvendosjes’ për të dalë në rrugë nuk e shoh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.

Ashtu si edhe në çdo rast tjetër, shpreh qëndrimin tim të fuqishëm si Presidente e vendit, kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Në këtë rrugë tonën, si vullnet i yni i përbashkët, është parakusht respektimi i standardeve dhe i proceseve demokratike, lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive dhe respektimi  i të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe konventave ndërkombëtare”, thekson Presidentja Jahjaga.

Ajo I bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

“Thirrja për reciprocitet nuk mund të shërbejë për veprime kufizuese dhe penguese, sepse synimi ynë si shtet dhe si shoqëri demokratike me vizionin e integrimeve euroatlantike është hapja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë, si shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë”, thekson në deklaratë Presidentja Jahjaga. (LajmeShqip.com)