Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 08:02

Kuvendi do ta sfidojë të mërkurën presidenten Atifete Jahjaga. Do t’ia dërgojë për shpallje dy ligje të miratuara në mbledhjen e zhvilluar midis 23 e 24 tetorit, e në të cilën nuk u lejuan të marrin pjesë deputetë të opozitës.

“Nesër do të dërgohen për shpallje të Presidentja”, ka konfirmuar për gazetën sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi shkruan sot Koha Ditore.

Seanca e nisur pasditen e së premtes, ishte përmbyllur në orët e para të së shtunës. Ishin bërë përpjekje që të zhvillohej në sallën qendrore të Kuvendit, por në dy tentativa deputetët opozitarë patën aktivizuar bombola gazi lotsjellës, në përpjekje për ta bllokuar punën.

Në të dytën, madje, në drejtim të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Kabinetit Qeveritar, ishin hedhur edhe shishe të mbushura me ujë. Kjo, pasi, me vendim të Kryesisë, ishte rrethuar me kordonë të policisë pjesa ballore e sallës ku ndodhen vendet e rezervuara për drejtuesin e Kuvendit dhe për qeveritarët.

Deputetët e subjekteve në pushtet e kishin gjetur zgjidhjen pas mesnate. E kishin improvizuar në sallë pune bufenë që ndodhet në katin më të lartë të godinës së Kuvendit, dhe kishin përmbyllur seancën aty. Deputetët opozitarë nuk ishin ftuar fare.

Madje, ishin penguar nga pjesëtarë të sigurimit, edhe kur kishin provuar të ngjiteshin lart, pasi haberin për këtë mbledhje e kishin kuptuar nga mediat.