Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 13:14

Prishtinë – Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është një projekt i përbashkët i popullit të Kosovës dhe i ndihmës të pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, tha Presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Prizren në ditën e 133 vjetorit të Lidhjes Shqiptare, pasi më parë kishte nderuar heronjë dhe dëshmorët në Prekaz dhe në Gllogjan.
“Sot Kosova e ka synim integrimin e plotë në Bashkimin Evropian në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke mbajtur miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është jetësim i idealeve të gjeneratave të mëparshme në konkretizimin me kushtet e kohës”, theksoi ajo.
“Populli i Kosovës është pjesë e popujve të civilizuar të Evropës. Ai e ka dëshmuar këtë nivel të civilizimit. Unë gjithmonë e përsëris thënien e rilindësve se për neve dielli lind në Perëndim. Kjo do të thotë që sytë e qytetarëve të Kosovës janë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Presidentja Jahjaga.
Ajo shtoi se Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve, ku të gjithë jetojnë së bashku, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, racore apo gjinore. “Kjo është dëshmuar deri tani në rrugën tonë të ndërtimit të një shteti demokratik, në partneritet të plotë me miqtë ndërkombëtarë”, tha Presidentja Jahjaga, duke theksuar se Kosova kohëve të fundit është duke u favorizuar dhe duke u bërë subjekt shumë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Përvjetori i 133-të i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shënohet në Kosovë në ditët e festimeve edhe për përvjetorin e 12-të të çlirimit. Në  mëngjesin e 12 qershorit historik të vitit 1999 forcat e NATO-s filluan të hyjnë në Kosovë, pas përfundimit fitimtar të fushatës ajrore – ndërhyrjes shpëtimtare për kosovarët, të filluar në mbrëmjen e 24 marsit.